Ministrja Bajrami mori pjesë në promovimin e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në promovimin e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami tha se “ky është një indikacion i mirë për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që bizneset frankofone po organizohen në një klub afarist, me të cilët ne do të jemi shumë të hapur të diskutojmë edhe për avancimin e mëtutjeshëm dhe për përmirësimin e ambientit të biznesit”. 
Më tej, ministrja Bajrami theksoi se ambienti i biznesit në Kosovë është përmirësuar dhe se është duke u punuar vazhdimisht në të gjithë dikasteret në kuadër të Qeverisë që të eliminohet burokracia, luftohet korrupsioni, të harmonizohen ligjet me ato të BE-së dhe të krijohet  infrastruktura e nevojshme për biznese. Po ashtu, ministrja Bajrami tha se implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e ka bërë vendin një treg më strategjik për investitorët e huaj. 
Ministrja Bajrami duke theksuar angazhimin e Qeverisë në përmirësimin e ambientit të biznesit në vend shtoi se “Qeveria në bashkëpunim me donatorët po bën përpjekje  që t’i ndihmojë ndërmarrjet vendore dhe ato me pronarë të huaj që t’i certifikojnë produktet e tyre dhe të jenë sa më konkurrues në tregjet e huaja. Po ashtu, kemi politika shumë të mira fiskale, po vazhdojmë të investojmë në zona ekonomike dhe deri tani kemi arritur të licencojmë tetë zona ekonomike në komuna të ndryshme.” 
“Kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike i cili i mundëson Qeverisë që të komunikojë drejtpërdrejtë me bizneset serioze që kanë plane strategjike të investojnë në Kosovë,” tha ministrja Bajrami. 
Në fund, ajo përmendi disa nga sektorët që Qeveria është e interesuar shumë që të zhvillohen, siç janë: turizmi malor, projekti i Brezovicës, minierat dhe mineralet, industria përpunuese, teknologjia e informacionit dhe komunikimeve, industria e tekstilit dhe industria  e përpunimit të metaleve.  
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors