Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, organizuan konferencë informuese për zhvillimin e sektorit privat në Mitrovicë.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësuesit më të lartë qeveritarë, si: kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, ministri i MF-së, Avdullah Hoti, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përfaqësues të Doganës së Kosovës, përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Në këtë konferencë u prezantuan planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Komunës së Mitrovicës për zhvillimin e sektorit privat. Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes formës së dialogut të drejtpërdrejtë me bizneset, ka krijuar mundësi të dialogimit, ku bizneset kanë mundësi t’i paraqesin barrierat dhe kërkesat e tyre para përfaqësueseve të institucioneve qendrore dhe lokale.
Në hapje të konferencës, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e agjendës së zhvillimit ekonomik, e cila lidhet me synimet themelore të Qeverisë, krijimi i kushteve të volitshme për sektorin privat dhe punësimin, duke theksuar se të gjitha çështjet tjera mbesin prapa këtyre objektivave themelore.
“Në qoftë se dëshirojmë që këto synime t’i konkretizojmë, ne synojmë që të arrijmë një zhvillim më të shpejt ekonomik në të ardhmen, përmes një shtrirje apo disperzioni të bizneseve në gjithë territorin e vendit, synojmë po ashtu të krijojmë ambient të barabartë si brenda vendit, ashtu edhe ndërmjet firmave tona dhe atyre në tregun regjional dhe tregun evropian për bizneset, në mënyrë që ato të jenë konkurruese. Pastaj synojmë që të eliminojmë konkurrencën jolojale dhe pozitën monopolitistike të çdo subjekti apo çdo firme që mund ta ketë në treg, të krijojmë punësim i cili bazohet në kushtet e tregut, sidomos në sferën e prodhimit, po ashtu synojmë që të barazojmë kushtet e afarizmit ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat, sepse ka vërejtje që në këtë aspekt nuk ka barazi të plotë, andaj edhe konkurrenca në treg ndërmjet këtyre sektorëve mund të mos jetë e barabartë, dhe përfundimisht synojmë që të përforcojmë bilancin tregtar me jashtë, në mënyrë të vazhdueshme, duke zëvendësuar produktet e importit me produkte vendore, dhe duke eksportuar më shumë produkte vendore jashtë” tha kryeministri Mustafa.
Për të arritur këto synime, kryeministri tha se është bërë Pakoja e parë Fiskale, e cila ka dhënë rezultate konkrete, sidomos tek importet e pajisjeve dhe makinerisë. Gjithë kjo ka bërë që në dy vitet e fundit, 2015 dhe 2016, rritja ekonomike të jetë 4 për qind në vit, më e larta në rajon. Megjithatë, kryeministri Mustafa theksoi se kjo rritje është shumë më pak domethënëse, për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë bruto produkt vendor, ose GDP-në shumë më të madhe për kokë të banorit.
Ligji për Trepçën, sipas kryeministrit, ka mundësuar fillimin e aktivizimit të këtij gjiganti ekonomik, ndërsa pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, do të dihen më saktë rekomandimet se çfarë më tutje duhet bërë në Trepçë. Sa i përket investimeve të huaja direkte, kryeministri përmendi fillimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, investim prej një miliard eurove, që do të sigurojë energji elektrike të mjaftueshme për biznese dhe qytetarë.
Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli për zhvillimet dhe përparimet e shumta që janë bërë në përmirësimin e ambienti të biznesit. “E kemi harmonizuar në masë të madhe legjislacionin, duke e përafruar me legjislacionin e BE-së dhe i kemi eliminuar shumë barriera të panevojshme. Po ashtu, kemi eliminuar shumë taksa, si dhe kemi përgjysmuar disa prej tyre dhe besojmë dhe jemi të bindur në atë, që zhvillimi i bizneseve dhe veprimi i tyre me institucione është më i lehtë”, tha ministrja Bajrami, duke bërë të ditur se konkurrenca është shumë e madhe dhe askund nuk është e lehtë për të bërë biznes.
Ajo, gjithashtu theksoi: “Ne, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si koordinator të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, kemi marrë parasysh të gjitha çështjet e ngritura nga asociacionet e ndryshme të bizneset në të cilat ne jemi të përfaqësuara. Kemi arritur që të adresojmë të gjitha çështjet tregtare të ngritura me vendet fqinje”, potencoi ministrja Bajrami.
Ajo përmendi edhe rangimin e mirë për reformat në biznes në raportet e Bankës Botërore dhe në disa raporte të tjera, ku për këtë gjë kemi marrë shumë lavdata edhe nga vetë komuniteti i biznesit.
Ministrja Bajrami edhe njëherë ritheksoi se ne, si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, kemi sponsorizuar një numër të madh të ndërmarrjeve për të marrë pjesë në panaire të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të bërë promovimin e produkteve.
Më tej, ajo shtoi se me fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit është duke u realizuar edhe projekti i cili po i ndihmon ndërmarrësit kosovarë të certifikojnë produktet e tyre për standarde të cilësisë. “E kemi edhe Ligjin për Investime Strategjike i cili nuk është një ligj vetëm për investitorët e huaj, i cili mundëson marrjen e statusit të investitorit strategjik edhe investitorëve të brendshëm, që iu mundëson pa procedura të stërzgjatura t’iu jepen asete dhe objekte të ndryshme në këmbim të investimeve dhe krijimit të vendeve të punës”, u shpreh ministrja.
Në fund të fjalimit, ministrja Hykmete Bajrami pasqyroi angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar: “Me një fjalë, Qeveria e Republikës së Kosovës e di që mirëqenia dhe vendet e punës krijohen pikërisht nga zhvillimi i sektorit privat dhe se ne po mundohemi që të bëjmë të pamundurën, që kushtet të cilat ne duhet t’i ofrojmë të jenë në nivel me vendet fqinje dhe në nivel me vendet e bashkësisë evropiane”.
Pas konferencës, kryeministri dhe ministrat pjesëmarrës vizituan kompaninë për prodhimin e betonit “Burimi”, kompaninë e kërpudhave “Hirano”, kompaninë për prodhimin e mobileve “Veli”, si dhe kompaninë “Linprojekt”.



