Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, konfirmoi edhe njëherë përkrahjen e institucioneve të Kosovës për prodhuesit vendorë në tryezën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, me temë: “Prodhimet vendore në supermarkete-rregullimi i tregtisë së brendshme”.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm: zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, përfaqësues të prodhuesve dhe tregtarëve të Kosovës, përfaqësues të institutit RIINVEST, si dhe përfaqësues tjerë të komuniteti të biznesit.
Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, potencoi partneritetin e Qeverisë së Kosovës me bizneset kosovare. Zëvendëskryeministri Limaj ka shtuar se ende ka punë për të bërë në eliminimin e të gjitha pengesave biznesore dhe se prioritet tashmë është prodhimi vendor. “Këtë treg të egër do ta rregullojmë duke mbrojtur interesat vendit. Pa asnjë dilemë është respektimi i tregtisë së lirë, por natyrisht se ka rregulla që duhet të respektohen në mënyrë ligjore. Është shqetësuese se 90 për qind e marketeve tona janë të mbushura me mallra të importuara, ndërsa vetëm 10 për qind me prodhime vendore”, ka thënë Limaj, duke shtuar se ky treg i egër të rregullohet në mënyrë ligjore.
Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, theksoi se prioritet i kësaj qeverie është fuqizimi dhe përkrahja e prodhuesit vendor. “Prioritet kemi fuqizimin e biznesit dhe përkrahjen e prodhuesit vendor. Kemi marrë masa aty ku kemi mundësi dhe aty ku është konform mbrojtjes së prodhuesit. Duhet të bëhen hetime për rregullimin e tregut, por gjithnjë në bazë të fakteve. Ne si MTI kemi bërë strategjinë ku parashihen forma për heqjen e barrierave dhe krijimin e lehtësirave për bizneset”, u shpreh Hasani, duke bërë të ditur se do të marrin masa në vazhdimësi konform mbrojtjes së prodhuesit.
Ai më tej ka shtuar se kemi marrë masa, kemi filluar dhe besoj se jemi në proces aty ku na lejon ligji, aty ku ka mundësi. “MTI ka mundësi vetëm nëpërmjet respektimit të marrëveshjes së MSA-s dhe CEFTA-s, nëpërmjet ligjit anti-damping, aty ku shohim se ka çmime të dampuara do të veprojmë konform ligjit që t'i mbrojmë prodhuesit vendorë”, deklaroi ministri Hasani”.
Po ashtu, ministri Hasani bëri të ditur se sot do të bëhet publik Raportit i ri i Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes 2018” ku Kosova do të ketë avancim të mirë në renditjen e ranglistës botërore.