Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, po qëndron për vizitë zyrtare në Itali. Zëvendësministri Thaçi ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga komuna Cuartatone(Mantova). Përveç, kryetarit të komunës, në këtë tryezë prezent ishin edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Italiane dhe një grup i madh investitorësh italianë.
Zëvendësministri Thaçi shpalosi para të pranishmeve mundësitë që ofron shteti i Kosovës për investitorët e huaj. Ai në emër të Qeverisë se Kosovës ftoi investitorët, që miqësinë në mes dy shteteve ta thellojnë edhe në ekonomi.
“Qeveria aktuale ka bërë ndryshime pozitivë dhe lehtësira të mëdha fiskale për të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë. Hapat e fundit që Qeveria i ka ndërmarrë janë heqja e akcizës për lëndën e parë, gjysmë produktet dhe makinerinë prodhuese, pra është zero taksë”, ka potencuar Thaçi.
Po ashtu, ai shtoi: “Si qeveri kemi identifikuar sektorët kyç të zhvillimit në Kosovë që me kënaqësi e prezantoj para jush. Pra, Kosova po ec në një trend pozitiv në agro-biznes, bujqësi, përpunim të ushqimit dhe paketim, përpunim të metalit, përpunim të tekstilit dhe lëkurës, përpunim të drurit dhe mobilierisë, turizëm, minierat dhe minerale, energji të ri-përtëritshme”, ka theksuar zëvendësministri Thaçi.
Më tutje, ai ka thënë se Qeveria po ndërton një infrastrukturë ligjore e cila mbron fuqishëm investitorët dhe bizneset.
Në kuadër të ligjit do t’u mundësohet investitorëve të huaj që për 99 vjet dhënia e parcelës, ku do të ndërtohen fabrika kundrejt shumës zero.
Mjedisi i të bërit biznes, sipas zv.ministrit Thaçi është vlerësuar pozitivisht nga ana e organizatave kredibile ndërkombëtare.
Investitorët që ishin prezentë kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë. Madje, ata janë zotuar se në një të ardhme të afërt do të vizitojnë Kosovën për të parë mundësitë që ofron vendi ynë për investitorët e huaj.
