Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit mbajti takimin e radhës për të diskutuar rreth çështjeve që janë aktuale për konsumatorët.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme qeveritare, të rregullatorëve, si dhe të organizatave jo-qeveritare. Po ashtu, si vëzhgues, morën pjesë edhe përfaqësuesit e projektit të Komisionit Evropian “ Lëvizja e Lirë e Mallrave”- FMG, ku u diskutua për statistikat e ankesave të konsumatorëve dhe ueb-faqen e konsumatorit, www.konsumatori.rks-gov.net
Përfaqësuesit e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit ua prezantuan anëtarëve të këshillit ndryshimet në ueb-faqen e konsumatorit, e cila do të lehtësojë qasjen dhe formën e ankesës së konsumatorit.
Po ashtu, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit prezantoi edhe ankesat e konsumatorëve, për këtë periudhë, ku janë parashtruar 433 ankesa, prej tyre janë zgjidhur 197 ankesa, ndërsa në proces janë 236 ankesa.
Në takim u propozuan edhe disa pika për diskutim nga organizata KONSUMATORI, që u aprovuan dhe ndër to ishte edhe ngritja e çmimit të sigurimit të veturave prej 26 për qind. Ngritje e cila ndikon direkt në gjepin e konsumatorit dhe se si vendim duhet te rishikohet, sepse është ngritje shumë e lartë.
Po ashtu nga përfaqësuesit e Projektit FMG u propozua forma e parashtrimit të rekomandimeve të këshillit për institucionet relevante në fushën e mbrojtjes së konsumatorit për t’i fokusuar kërkesat e këshillit vetëm në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.
Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe gjendja aktuale në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, në fusha specifike si: sektori energjetik, sektori i derivateve, sektori financiar, si dhe sektorë të ndryshëm vitalë për konsumatorët.

