Nis hartimi i Strategjisë për zhvillimin e turizmit të Kosovës

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nëpërmjet një punëtorie virtuale, në bashkëpunim me përfaqësuesit e projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ka nisur hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Turizmit në Kosovë.

Lumturije Kurtishaj, këshilltare politike e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se përveç të tjerash zhvillimi i turizmit është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në përmirësimin e imazhit të vendit. Sipas saj, turizmi do të trajtohet në nivel strategjik për zhvillimin e vendit.

Kurse, Irfan Lipovica, drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MTI dhe udhëheqës i Ekipit për hartimin e Strategjisë për zhvillimin e turizmit, e ka konsideruar si mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen e komunave në hartimin e kësaj strategjie.  Sipas tij, komunat janë një hisedar mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kosovar. Ai bëri të ditur se në hartimin e kësaj strategjie do të ndihmojë edhe Zyra qendrore e Swisscontact në Cyrih dhe se vizioni i zhvillimit të turizmit do të bëhet me mbështetjen dhe sugjerimet e ekspertëve zviceranë.

Ndërkaq, Christian Palmer, ekspert i turizmit nga organizata Swisscontact theksoi se pjesë përbërëse e strategjisë do të jetë edhe çështja e ndryshimit të perspektives për turizmin, trendët globale të turizmit, zhvillimi i turizmit të bazuar në kërkesë etj. Ai prezantoi detaje të modelit zviceran të St. Gallen-it, ku shtjelloi pika të rëndësishme të destinacioneve turistike, si dhe vuri theksin tek njohja e mirë e sjelljes së turistëve tek përvojat lokale dhe sociale, digjitalizimi, grup-moshat e ndryshme të turistëve dhe specifika të praktikës së turizmit të qëndrueshëm. "Perspektiva e zhvillimit të turizmit duhet të mbështetet tek njohja e rrjedhave të vizitorëve" tha Palmer.

Qëllimi i këtij takimi ishte përgatitja dhe koordinimi i hapave të radhës, që do të bëhen ditëve në vijim, për t’i përshtatur me trendët globalë të zhvillimit të turizmit pas krizës së shkaktuar në mbarë botën nga pandemia e COVID-19.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors