REAGIM NDAJ LAJMEVE TË PAVËRTETA LIDHUR ME AGJENCINË E METROLOGJISË

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) reagon ndaj Gazetës “Insajderi.org”, e cila ka botuar, me datën 03.08.2021, (dhe disa portale të tjera e kanë rishpërndarë) një artikull të pavërtetë, që akuzon ministren e MINT Rozeta Hajdari për shkelje të ligjit lidhur me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK).

Në shkrimin e “Insajderi.org” pretendohet se ministrja Hajdari gjoja ka favorizuar një kompani të naftës, duke urdhëruar zyrtarët e AMK-së të verifikojnë mjetet matëse të kompanisë përkundër konfliktit të interesit. Artikulli ilustron pretendimet me pjesë nga letërkëmbimi zyrtar, por fsheh qëllimisht dhe me keqdashje pjesët e letërkëmbimit, që dëshmojnë korrektësinë e ministres Hajdari dhe nëpunësve të AMK-së.

Në rastin në fjalë, një operator ekonomik ka kërkuar verifikimin e mjeteve matëse të rrjedhës me kapacitet mbi njëmijë (1 mijë) litra në minutë. Ndonëse AMK është i vetmi institucion që mund të verifikojë pajisjet e këtij kapaciteti në Republikën e Kosovës, ndërsa drejtori i përgjithshëm i në atë kohë, z. Ferki Fejza, ka ndaluar vartësit e tij të kryejnë shërbimin për gjoja konflikt interesi dhe ka sugjeruar që Kabineti i Ministres të gjejë zgjidhje. Pasi vartësit kanë shprehur mospajtim dhe pasi z. Fejza ka dështuar të shpjegojë shkaqet, bazën juridike ose standardin ndërkombëtar që ndalon kryerjen e shërbimit, ministrja Hajdari ka udhëzuar AMK-ne të shqyrtojë kërkesën e palës.

Kjo rrjedhë e ngjarjes zbulohet saktë në letërkëmbimin e censuruar nga gazeta “Insajderi.org”. Autori i artikullit me dashakeqësi e ka fshehur të vërtetën dhe ka botuar gënjeshtrën, duke sulmuar padrejtësisht ministren Hajdari dhe duke hedhur baltë mbi punën e zyrtarëve të AMK-së.

Z. Ferki Fejza muajin e kaluar është pezulluar nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të AMK-së dhe më pas është larguar nga shërbimi civil për një varg shkeljesh të rënda, të elaboruara në vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Që nga pezullimi, më pas shkarkimi i z. Fejza, puna e Agjencisë së Metrologjisë është bërë cak i lajmeve të rreme në disa media vendore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbetet e gatshme të bashkëpunojë me media dhe gazetarë dhe t'u ndihmojë të përmbushin misionin e tyre profesional, por jo duke fshehur të vërtetën qëllimshëm dhe duke denigruar institucionin.

Vendimi per largimin nga sherbimi civil per Ferki Fejzën

Post ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors