Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), sot (datë 01.11.2021), bën hapjen zyrtare të fushatës informuese “Ditët e Biznesit Kosovar”, ku MINT përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (AIPNK) do të organizojë shtatë (7) javët e biznesit në qendrat kryesore të Republikës së Kosovës.
Në këto javë, nën patronatin e ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe kohe pas kohe edhe në shoqërim me kryeministrin Albin Kurti, do të organizohen në qytetet kryesore konferenca të shumta informuese për zhvillimin e sektorit privat, do të ketë bashkëbisedim dhe dialog me sektorin privat, do të diskutohet për nevojat, sfidat, mundësitë, ndikimin e pandemisë në ekonomi dhe trendët momentale të ekonomisë.
Po ashtu do të prezantohen pakot stimuluese për ekonominë, të dizajnuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilat pritet që do të kenë ndikim të lartë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Njëkohësisht do të organizohen edhe shumë vizita të drejtpërdrejta të kompanitë prodhuese, eksportuese, shërbyese dhe me investitorë të huaj në Kosovë, me prezencën e ministres Hajdari dhe sipas mundësive të agjendës kohore edhe me prezencë të kryeministrit Kurti.
Këto ditë dhe javë të biznesit le të na shërbejnë për të kontribuar së bashku në forcim të sektorit privat dhe në zhvillim të hovshëm ekonomik, me fokus prodhimin kosovar.
I ftojmë të gjitha bizneset nga qendrat e ndryshme që të jenë prezentë në aktivitete gjatë këtyre ditëve dhe javëve duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësim të të bërit biznes në Republikën e Kosovës.