Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me zv. Sekretarin e MINT, z. Irfan Lipovica, ishin pjesëmarrës në takimin e mbajtur me bizneset, që janë të interesuara të aplikojnë në thirrjen e fundit, të hapur për sektorin e turizmit nga Programi i BE-së për Treg të Përbashkët.
Kosova nga fundi i nëntorit të këtij viti zyrtarisht ka filluar negociatat për anëtarësim në këtë program, dhe me marrjen e këtij statusi kanë përfituar kompanite kosovare të cilat tani kanë mundësi të përfitojnë nga shpalljet e hapura nga ky program.
Përderisa negociatat në mes të Ministrisë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Komisionit Evropian po zhvillohen, bizneseve kosovare po iu hapet mundësia e aplikimit në thirrjet aktuale të këtij programi.
Ministrja Hajdari theksoi se fokusi i MINT është përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe zhvillimi i konkurrueshmërisë, duke zhvilluar industrinë, ndërmarrësinë dhe tregtinë me përqendrim të veçantë tek sektoret prioritarë duke përfshirë këtu edhe sektorin e turizmit.
Programi i Tregut të Përbashkët konsiderohet si një mekanizëm i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi dhe se është zotim i vazhdimit në integrimin ekonomik duke i sjellë kompanitë kosovare më afër tregut e BE-së.
Ministrja Hajdari potencoi se Programi për Treg të Përbashkët synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar. Programi i Tregut të Përbashkët do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën 2021-2027.
Bizneset e pranishme patën mundësi të diskutojnë haptas me Ministren Hajdari për sfidat dhe zhvillimet e fundit për përkrahjen qeveritare në sektorin e turizmit, si dhe me ekspertin e angazhuar në kuadër të projektit të asistencës për programet e BE-së, financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Ministrja Hajdari falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë për asistencën e ofruar bizneseve vendore dhe organizimit e eventit.




