Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, më 18 janar 2022, priti ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič.
Ministrja Rozeta Hajdari e njoftoi ambasadoren mbi prioritetet e ministrisë, duke nënvizuar zhvillimin e politikave të industrisë, promovimin e investimeve dhe të eksportit, përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, sfidat që ka sektori privat dhe nevoja për përkrahje të bizneseve fillestare, të vogla dhe të mesme, ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve që mbulojnë çështjet e industrisë, invrstimeve, zonave ekonomike, ndërmarrësisë dhe inovacionit, turizmit si dhe tregtisë.
Ambasadorja Benedejčič e falënderoi ministren Hajdari për mikpritjen dhe shprehi gadishmërinë e saj për përkrahje dhe investime nga Sllovenia në Kosovë, duke theksuar takimin e mëhershëm të 40 kompanive sllovene dhe kosovare, të cilat disa prej tyre janë me potencial për investime në Kosovë.
Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari, prezantoi përparësitë konkurruese që ka Kosova si destinacion investimi për afaristët e huaj, që përfshijnë: Euro valuta zyrtare, legjislacioni në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së, sistemi i thjeshtë dhe i favorshëm tatimor, sistemi bankar stabil, popullata e re si një forcë pune e mirë-arsimuar dhe shumë gjuhë folëse, lokacioni gjeografik me infrastrukturë të zhvilluar rrugore, digjitale dhe qasje të afërt në portet detare, si dhe faktorë këta që janë shumë të rëndësishëm në garantimin e suksesit të një investitori.
Ministrja Hajdari dhe ambasadorja Benedejčič çmuan marrëdhëniet e mira në mes dy shteteve dhe konfirmuan gatishmërinë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik përmes themelimit të komitetit të përbashkët ekonomik , me bashkëkryesim dhe bashkëpunim të mirë me shkëmbim përvojash në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë në sektorë të ndryshëm ekonomik.


