Në emër të Ministres Rozeta Hajdari, Shefja e Kabinetit të MINT, znj. Arjeta Shaqiri Latifi, i falënderoi për ftesën dhe për organizimin e garës për ekipet e të rinjve ndërmarrës, të cilët kanë pasur mundësi të jenë pjesë e inkubatorit të biznesit në Venture Up.
Znj. Shaqiri Latifi theksoi se MINT e konsideron inovacionin si një fushë të rëndësishme për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe se ndikon direkt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Në këtë kontekst, znj. Shaqiri Latifi i njoftoi të pranishmit për objektivat e MINT në fushën e inovacionit, me ndikim në sektorët e industrisë, të cilat janë:
– Konsolidimi i politikave të qarta publike për promovimin dhe zhvillimin e inovacionit industrial, rritjen e konkurrueshmërisë, për rritjen e eksportit dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
– Fuqizimi i bashkëpunimit trekendësh ndërmjet politik-bërjes, sektorit privat dhe akademisë.
– Investimet e përgjithshme dhe incentivat në kërkim dhe zhvillim të ideve dhe projekteve inovative.
– Inicimin e programeve për ngritjen e kompetencave profesionale apo aftësimin e fuqisë punëtore në relacion me nevojat e tregut.
– Nxitjen e potencialit për zhvillim të sektorëve me prioritet, nëpërmjet transformimit të ekonomisë tradicionale në ekonomi dixhitale dhe kreative si:
Sektori i Teknologjisë informative dhe komunikimit, dixhitalizimin e shërbimeve;
Industria e përpunimit të produkteve dhe avancimi i teknologjive përpunuese,
Inovacionet në zhvillimin e turizmit dhe industrisë prodhuese, përpunuese dhe shërbyese.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojë me lansimin e grant skemave për përkrahjen e ideve dhe projekteve inovative, të bizneseve fillestare start-up dhe ndërmarrësve inovator.
Në fund, në emër të Ministres Rozeta Hajdari dhe të stafit të MINT, znj. Shaqiri Latifi i uroi suksese të rinjve që do të jenë pjesë e kësaj gare dhe i inkurajoi që të marrin pjesë sa më shumë në aktivitete të tilla, në mënyrë që të aftësohen dhe të marrin njohuri të reja për të qenë të suksesshëm në profesionet e tyre.
