Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me kolegët, priti në takim deputetin e Parlamentit Britanik njëherësh i Dërguar i Kryeministrit për Tregti në Ballkanin Perëndimor Martin Vickers, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, Zëvendësambasadorin, Jacob Webber, këshilltarin për politika tregtare për Ballkanin Përendimor, Gareth Evans si dhe drejtorin për Tregti dhe Investime, Nikola Stojanoski.
Ministrja Rozeta Hajdari e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën dhe mbështetjen në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Në prezantimin e prioriteteve të ministrisë dhe përparësive konkurruese ‘nearshoring’ që ka Kosova për afaristët britanik në kërkim të të berit biznes në vendndodhje më të afërta gjeografike, Ministrja Hajdari shprehi gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo theksoi zbatimin e Marrëveshjes Tregtare me Mbretërinë e Bashkuar përmes themelimit të komitetit ekonomik të përbashkët dhe rrjetëzimit në mes bizneseve kosovare dhe britanike, përfshirë dhe afaristet nga diaspora.
I Dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Tregti në Ballkanin Perëndimor, z. Vickers, e falënderoi ministren Hajdari për pritjen dhe bisedën frytdhënëse dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Të dy palët çmuan marrëdhëniet e mira mes vendeve mike dhe u pajtuan për shkëmbimin e përvojave britanike me qëllim të përmirësimit të ambientit të të berit biznes dhe rritjes së investimeve në Republikën e Kosovës.



