Më 23 shkurt 2022, Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare “AVONET”, ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), me temën “Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës”. Gjithashtu ka lëshuar komunikatë për media me titull: “Qeveria po i favorizon naftëtarët dhe jo qytetarët e interesin publik”.
Për hir të informimit të saktë të publikut, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mision sundimin e ligjit dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut monitoron rregullisht cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në tregun e brendshëm, duke u bazuar në Ligjin nr.2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës dhe Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës.
Monitorimi i cilësisë bëhet përmes marrjes së mostrave dhe testimit në laboratorët e akredituar (brenda dhe jashtë shtetit). Vetëm gjatë vitit 2021 janë testuar mbi 730 mostra të karburanteve të lëngëta të naftës.
MINT rithekson se ligji i ri për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës (pas 10 vitesh), me 8 shkurt të këtij viti, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i njëjti shumë shpejt do të fillojë të zbatohet.
MINT vlerëson se komunikata e lëshuar nga “AVONET” është deklaratë e pasaktë dhe e pabazuar në fakte dhe prova, prandaj si të tillë e konsideron tentim të radhës për zbehjen e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra.
Megjithatë, në rast se “AVONET” kanë dëshmi dhe prova lidhur me rastet e favorizimit të naftëtarëve, informalitetit, korrupsionit, abuzimit, përzierjes dhe hollimit të naftës, dëmtim të veturave nga karburantet, kërkojmë që rastet e tilla t’i denoncojnë pranë organeve kompetente.
Gjithashtu, MINT fton Prokurorinë e Republikës së Kosovës t’i hetojë deklaratat e paqëndrueshme të përfaqësuesve të OJQ “AVONET”, që i kanë bërë në prezantimet dhe publikimet publike dhe në media, me datën 23 shkurt 2022.