Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë në konferencën “Ditët e industrisë së BE-së 2022”, e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC), ku është diskutuar për agjendën e gjelbër, industrinë dhe transformimin digjital.
Ministrja Hajdari theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës përmes MINT, ka në prioritet rimëkëmbjen e industrisë në të gjithë sektorët e zhvillimit socio-ekonomik, si dhe krijimin e mekanizmave dhe infrastrukturës së përshtatshme për lehtësimin e tranzicionit digjital industrial tek bizneset dhe digjitalizimin e shërbimeve për të rritur kapacitetin, qasjen dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve nëpërmjet E-qeverisjes, etj.
Ministrja Hajdari ritheksoi se tranzicioni digjital është një proces qe nuk qëndron vetëm ne adoptimin e teknologjive te reja, por gjithashtu edhe mënyrën e të kuptuarit te një modeli të ri të biznesit, gjegjësisht transformimin e biznesit.
“Digjitalizimi do te jetë një faktor kyç në tranzicionin e industrive tradicionale dhe është një mjet efektiv që mund të përdoret nga biznesi në të gjitha proceset – operacionale apo të zhvillimit të biznesit. Digjitalizimi dhe teknologjia informative kanë pasur shumë sukses në rritjen e të hyrave të biznesit përmes platformave digjitale, dhe fal agjendës digjitale disa nga bizneset që gjate krizës COVID 19 kishin shumë ndërprerje, ishin në gjendje të vazhdonin me të bërit biznes, vetëm duke digjitalizuar proceset e tyre”, ka theksuar Ministrja Hajdari.
Ne këtë kontekst, Ministrja Hajdari informoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e bazuar në Agjendën Evropiane për Industri, Tregun e Brendshëm, Ndërmarrësi dhe NVM, si dhe Agjendën e Gjelbër, është duke punuar në hartimin e politikave publike dhe konsolidimin e kornizës së qartë ligjore, për promovimin dhe zhvillimin e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, eksportit dhe vendeve të reja të punës. Ajo shtoi se me finalizimin e hartimit të politikës industriale do të definohen një numër i prioriteteve të teknologjisë inovative, që do të aplikohen në sektorët e industrisë prodhuese.
“Ndërveprimi ndërmjet industrisë, kërkimit dhe inovacionit dhe institucioneve qeveritare, është prioritet i yni për nxitjen e potencialit për zhvillim të sektorëve me prioritet, nëpërmjet transformimit të ekonomisë tradicionale në ekonomi digjitale dhe kreative si: a) Sektori i Teknologjisë informative dhe komunikimit, digjitalizimin e shërbimeve; b) Industria e përpunimit të produkteve dhe avancimi i teknologjive përpunuese; c) inovacionet në zhvillimin e industrisë kreative; d) funksionalizimin e qendrave te inovacionit dhe ndërmarrësisë për më shumë zhvillim të ideve dhe projekteve inovative industriale, si dhe e) zhvillimin e programeve për aftësimin e fuqisë punëtore dhe ngritjen e kompetencave, në përshtatje me nevojat e tregut." potencoi Ministrja Hajdari.
Ne fund, Ministrja Hajdari ka konkluduar për nevojën për më shumë investime në kërkim dhe zhvillim për industrinë vendore, duke përmendur institutet e ndryshme kërkimore në Evropë, për zhvillim të produkteve të reja industriale, përveç granteve qeveritare për makineri, certifikim, digjitalizim dhe trajnim të lansuara gjatë vitit 2021, për rritje te eksportit.
“Kjo ndihmë e granteve në vlerë prej 9.8 milion Euro për bizneset është më qellim që Kosova të jetë pjesë e zinxhirit të vlerës në rajon dhe në botë. E të jemi pjesë e zinxhirit global të vlerës ka shumë punë dhe sfida, gjërsa ambiciet janë shumë të mëdha duke u bazuar ne agjendën e gjelbër evropiane”, ka thënë Ministrja Hajdari.


