Fillimisht, Ministrja Hajdari ua uroi të gjitha grave Festën e 8 Marsit dhe iu dëshiroi shumë suksese në arritjen e qëllimeve të tyre.
Në këtë panel, Ministrja Hajdari përmendi se angazhimi i saj në politikë ishte si marrje e përgjegjësisë, për të shërbyer me vlerat e saj njerëzore dhe profesionale, për të mirën e qytetarëve. Ajo tha se barazia është e drejtë njerëzore, por njëkohësisht edhe përgjegjësi dhe shtoi se është angazhuar për qeverisjen e mirë, duke bërë kompromis rahatinë e saj personale si eksperte e ekonomisë, ligjëruese në arsimin e lartë, si dhe duke lënë anash vazhdimin e studimeve në programin e doktoratës në UP.
Në postin e saj si ministre, ajo u shpreh se reflekton për barazi gjinore, në çdo proces që drejton për industri, ndërmarrësi dhe tregti, me parimet e qeverisjes së mirë – përgjegjësia, barazia, gjithëpërfshirja, transparenca dhe llogaridhënia, në përpjekjet për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e grave në të gjitha proceset vendimmarrëse dhe në zbatim, me qëllim të trajtimit dinjitoz të rolit të gruas dhe emancipimin shoqëror të vendit tonë.
Në këtë ngjarje kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Gruas morën pjesë gratë që udhëheqin institucionet shtetërore dhe organizatat joqeveritare.


