Amendamenti i Memorandumit të Mirëkuptimit u nënshkrua nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Drejtori i Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GmbH (GIZ), David Oberhuber, si dhe nga Përfaqësuesi i autorizuar nga Parku i Inovacionit dhe Trajnimit, Muhamed Rexhepi.
Ministrja Rozeta Hajdari ka riaktualizuar Memorandumin e Mirëkuptimit, i nënshkruar ndërmjet Ish Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit dhe Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit më 16 dhjetor 2020.
Me anë të këtij Amendamenti ndryshon qëllimi i shpenzimit të fondeve, rrjedhimisht fondet për menagjimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit, do të shfrytëzohen për funksionimin, mirëmbajtjen, promovimin dhe zhvillimin e ITP-së.
Me anë të këtij bashkëpunimi, MINT dhe GIZ synojnë që Parku i Inovacionit dhe Trajnimit të lulëzojë me shumë biznese gjermane dhe ndërkombëtare, meqë Kosova ofron potencialet konkurruese si destinacion investimi për afaristët e huaj, që përfshijnë: Euro valuta zyrtare, legjislacioni në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së, sistemi i thjeshtë dhe i favorshëm tatimor, sistemi bankar stabil, popullata e re si një forcë pune e mirë-arsimuar dhe shumë gjuhë folëse, lokacioni gjeografik me infrastrukturë të zhvilluar rrugore, digjitale dhe qasje të afërt në portet detare të Shqipërisë, etj.
Palët vlerësuan partneritetin e deritanishëm dhe shprehën përkushtimin e tyre në zhvillimin e inovacionit, ndërmarrësisë etj.
