Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në seminarin “Dita e Dizajnit Italian” e organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë dhe Zyra ICE në Tiranë me temën “Ri-Gjenerimi – Dizajni dhe teknologjitë e reja për një të ardhme të qëndrueshme”
Ministrja Hajdari tha se është i rëndësishëm vetëdijësimi i shoqërisë, sidomos pas pandemisë dhe krizave aktuale, në riformësimin e mënyrës së të bërit biznes dhe ridizajnimin e sistemit prodhues në mënyrë që të jetë më efiçient dhe më i qëndrueshëm, duke respektuar standardet për shëndetin dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Mbi temën e ri-gjenerimit dhe zhvillimit të bizneseve, Ministrja Hajdari potencoi se kalimi nga ekonomia tradicionale në ekonominë digjitale ka nevojë për zhvillimin e një ekosistemi inovativ, infrastrukturë ligjore, politikë fiskale dhe sistem arsimor efikas nga niveli fillor deri në atë universitar.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përgjegjëse per politikbërjen dhe mbështetjen e bizneseve fillestare, ka për qëllim t'u japë më shumë hapësirë parqeve teknologjike industriale dhe në të ardhmen përmes Fondit të Inovacionit dhe Sipërmarrjes, t'u japë më shumë përkrahje bizneseve fillestare me ide kreative dhe potenciale për eksport” shtoi Ministrja Hajdari.
Inovacioni dhe transformimi digjital në fushën e industrisë dhe ndërmarrësisë është hap vendimtar, për krijimin e ekosistemit digjital me ekonomi të gjelbër, në zhvillimin e kapaciteteve gjithëpërfshirëse dhe njerëzore.



