Në mbledhjen e 81-të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë miratuar:
1. Nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për Tregti të Lirë, ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga MINT dhe shteteve anëtare të EFTA-së (Zvicra, Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni). Marrëveshja e Tregtisë së Lirë përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët do të kërkojnë bashkëpunim më të madh për çështjet tregtare si: tregtia e mallrave dhe shërbimeve, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fito-sanitare, lehtësimi i tregtisë, rregullat e origjinës, përfshirë bashkëpunimin doganor dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.
2. Nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Tregut të përbashkët Evropian (Single Market Program), ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Bashkimit Evropian. Programi për Treg të Përbashkët synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Me anë të këtyre nismave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e ekonomisë, konkretisht përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë, duke mundësuar zhvillimin e sektorëve kyç ekonomikë siç janë industria, ndërmarrësia, inovacioni, tregtia dhe turizmi.
