Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GmbH (GIZ) dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), në kuadër të projektit ‘Promovimi i Ndërmarrësisë’ është mbajtur punëtoria për vlerësim: Studimi i zinxhirit të vlerës të sektorit të metaleve.
Në këtë punëtori që avancon finalizimin e politikave të industrisë së Republikës të Kosovës, pjesëmarrës ishin Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përfaqësuesi nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Edmond Gashi, eksperti nga kompania konsulente gjermane Anteja ECK (GIZ), Dr. Gerd Meier zu Köcker, përfaqësues të institucioneve qeveritare, bizneseve dhe shoqatave kosovare.
Fillimisht, Ministrja Hajdari tha se Qeveria Kurti me programin “Punë dhe Drejtësi” ka prioritet përmirësimin e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, nëpërmjet avancimit të politikave në sektorin e industrisë, tregtisë, investimeve, inovacionit, ndërmarrësisë, turizmit, si dhe përmirësimin e shërbimeve në infrastrukturë të cilësisë, në atë mënyrë që ndërmarrjet tona të jenë sa më konkurruese në rajon dhe më gjerë.
“Bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve dhe analizat e sektorëve industrial do ta ndihmojnë zhvillimin e kësaj strategjie të bazuar në evidencë për sektorët me potencial të zhvillimit industrial, krijim të vendeve të punës dhe rritje të eksportit. Ne kemi hartuar studimet e zinxhirëve të vlerës për: a) Industrinë e drurit, përfshirë mobilierinë, b) Industrinë e plastikës, c) Industrinë e tekstilit, veshjes dhe lëkurës si dhe d) Industrinë e produkteve minerale jo metalike. Ndërsa me projektin e GIZ-it jemi në finalizim të studimeve për: a) industrinë metalike, b) industrinë kimike dhe industrinë e përpunimit të ushqimit dhe pijeve” shtoi Ministrja Hajdari.
Në këtë kontekst, Ministrja potencoi se integrimi i prodhuesve të industrisë metalike të Kosovës në zinxhirin evropian dhe global të furnizimit do të rezultojë në rritje te eksportit dhe punësimit dhe njëkohësisht edhe ne rritjen e konkurrueshmerise se ndërmarrjeve tona vendore. Ajo u shpreh se digjitalizimi i proceseve industriale dhe ekonomia cirkulare do të ndikojnë në zhvillimin e sektorit privat, qe mundësojnë nxitjen e investimeve në Republikën e Kosovës.
MINT është duke hartuar studimet e zinxhirëve të vlerës për nënsektorët e industrisë prodhuese, me qëllim të identifikimit të potencialeve të tyre për zhvillim dhe kontributin e tyre në ekonominë e Kosovës, si dhe pengesat me të cilat ballafaqohen këta sektorë në tërë zinxhirin e furnizimit deri te produkti final. Nënsektori i produkteve të fabrikuara metalike, është njëri nga sektorët me potencial, i cili me numrin e ndërmarrjeve dhe punësimin renditet në vendet e para në kuadër të industrisë prodhuese, po ashtu kontribuon në përqindje të konsiderueshme edhe në eksportin e përgjithshëm.


