Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GmbH (GIZ) dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), në kuadër të projektit ‘Promovimi i Ndërmarrësisë’ ka mbajtur punëtoritë për vlerësimin e studimit të zinxhirit të vlerës të industrisë kimike dhe të industrisë të ushqimit dhe pijeve.
Në këtë punëtori që avancon finalizimin e politikave të industrisë së Republikës të Kosovës, pjesëmarrës ishin Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përfaqësuesi nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Edmond Gashi, ekipa nga kompania konsulente Anteja ECK (GIZ), udhëhequr nga eksperti gjerman, Dr. Gerd Meier zu Köcker, përfaqësues të institucioneve qeveritare, bizneseve dhe shoqatave kosovare.
Në hapje të kësaj punëtorie, Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë e parimit të gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit të afërt me bizneset dhe ekspertët, gjatë analizave të sektorëve industrial dhe procesit të hartimit të Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetjen e Bizneseve me udhëheqje nga MINT. Ajo theksoi se analizat e sektorëve kryesor industrial do të sjellin në pah potencialet dhe sfidat që duhet adresuar për zhvillim të sektorit privat dhe rritje te konkurrueshmërisë, me synim për transformim më të shpejtë të industrisë vendore.
Lidhur me sektorin e industrisë së përpunimit të ushqimit dhe pijeve, Ministrja Hajdari potencoi se në Strategjinë e Industrisë, si dhe në analizat e Strategjisë së Mençur, sektori i përpunimit të produkteve ushqimore dhe pijeve udhëheq me zhvillim, punësim dhe inovacion.
“Pjesa më e madhe është e orientuar në tregun vendor dhe e organizuar në kompani të vogla. Ekzistojnë kompani individuale inovative që reflektohen me përdorimin e teknologjisë dhe digjitalizimit në vijat e prodhimit. Ky sektor ka avantazh konkurrues, pasi që ka kërkesë të lartë në treg për produkte esenciale ”, shtoi Ministrja Hajdari.
Sektori i industrisë së përpunimit të ushqimit dhe pijeve në Sektorin C, për vitin 2021:
– Në punësim merr pjesë me 30.64%, apo me 12123 të punësuar. Krahasuar me vitin 2020 ka rritje për 15,7%;
– Me numër të ndërmarrjeve merr pjesë me 26,13%, apo me 1564 ndërmarrje. Krahasuar me 2020, ka shënuar rritje për 7,48%.
Ndërsa, në diskutimin për raportin e zinxhirit të vlerës për sektorin e industrisë kimike u potencua fakti se ky sektor, bazuar në zhvillimin e industrisë prodhuese, është një nga degët e rëndësishme të ekonomisë moderne dhe produktet e saj përdoren apo janë pjesë e sektorëve tjerë të ekonomisë, siç është bujqësia, prodhimi, ndërtimi dhe shërbimet.
“Integrimi i prodhuesve të industrisë kimike të Kosovës në zinxhirin global të furnizimit do të ofrojë një mundësi të madhe për rritje, inovacion dhe rritje të konkurrencës” përfundoi Ministrja Hajdari.
Sektori i industrisë kimike për vitin 2021, në Sektorin C:
-Në punësim merr pjesë me 2,39%, apo rreth 1000 të punësuar dhe në numër të ndërmarrjeve me 2,10%, apo me 126 ndërmarrje;
Prioritet i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve vendore, që synojmë ta arrijmë nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave të industrisë, investimeve, ndërmarrësisë, tregtisë dhe përmirësimit të shërbimeve në infrastrukturë të cilësisë, në atë mënyrë që ndërmarrjet tona të jenë konkurruese në rajon dhe më gjerë.


