Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në ngjarjen “Mëngjesi për Ekzekutivë”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Në këtë ngjarje morën pjesë 25 drejtues të kompanive anëtare të Odës Amerikane, përfaqësues nga USAID dhe Raiffeisen Bank, të cilët diskutuan për krizën e inflacionit, energjisë dhe fuqisë punëtore. Qëllimi i takimit ishte që të diskutohen mënyrat përmes të cilave Qeveria dhe Bizneset mund të kontribuojnë në tejkalimin e këtyre sfidave.
Në fjalën e saj, Ministrja Hajdari theksoi përpjekjet qeveritare dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të mundshme për adresimin e sfidave me të cilat përballet sektori privat dhe shtoi se komunikimi dhe kordinimi i vazhdueshëm në mes sektorit privat dhe institucioneve shtetërore, rezulton në vendimmarrje të arsyeshme për interes reciprok.
Ajo tutje shtoi se, gjersa në udhëheqjen e saj, po punohet intenzivisht në finalizimin e politikave kombëtare për zhvillimin e industrisë, inovacionit, ndërmarrësisë dhe turizmit, konsultimet e ngushta me sektorin privat kontribon në ndërtimin e vizionit dhe propozimit të masave, që Kosova të transformohet në një industri më të integruar globalisht, në vitet në vijim.
Ministrja Hajdari, theksoi për konkludimet e analizës së zingjirëve të vlerës për sektorët kryesor industrial, ku vërtetohet se ndërmarrësit tanë kanë aftësi dhe kompetencë të shkëlqyer në prodhim, në sektorët e ndryshëm industrial dhe shtoi se, më shumë përkrahje qeveritare do të ofrohet për bizneset vendore që do të jenë në gjendje të prodhojnë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe ofrojnë punësim të denjë.
Takimi përfundoi me mirënjohje të ndërsjellë, për komunikimin e hapur dhe konstruktiv, për shtegtim të përbashkët për zhvillimin dhe transformimin e industrisë sonë.







