Agjencia Kosovare e Standardizimit (ASK) që është në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka shënuar Ditën Botërore të Standardeve me moton “Vizioni i përbashkët për një botë më të mirë”.
Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se Dita Botërore e Standardeve bashkon një grup të ndryshëm që përbëhet nga standardizues me përvojë, si dhe të atyre që janë kureshtarë për të kuptuar se çfarë mund të bëjnë standardet për ta.
Arifaj është zotuar se Qeveria e Kosovës me rregullatorët dhe gjithë akterët tjerë kryesorë do të angazhohet për t’i promovuar standardet drejt progresit të matshëm.
“Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme, madje edhe kemi obligim ligjor që të plotësojmë kërkesat e vendit me standarde evropiane dhe ndërkombëtare, për të siguruar që produktet, proceset dhe shërbimet janë më cilësore dhe më të sigurta në Kosovë. Duke ndjerë nevojat e vendit dhe kërkesat e BE-së, ne jemi fokusuar në adoptimin e standardeve të harmonizuara, të cilat çdo ditë e më shumë janë të pranishme në AKS si standarde kosovare, me ç’rast ne po përmbushim njërin nga kushtet për aderim në Unionin Evropian”, ka thënë Arifaj.
Zëvendësministri ka bërë të ditur se deri më tani si standarde kosovare janë miratuar rreth 12.500 standarde evropiane dhe ndërkombëtare, duke shtuar se brenda tyre janë ato më të domosdoshmet për nevojat e ekonomisë kosovare dhe qeveritare gjithashtu.
“Cilësia duhet të synohet gjithmonë për kënaqshmërinë e klientit, mirëpo një cilësi kulmore nuk arrihet dot. Asnjëherë s’jemi lavdëruar se po bëjmë punë perfekte, por me standarde arrihen rezultate kulmore dhe ne jemi këtu të gatshëm që të pranojmë vlerësimin dhe idetë tuaja për zhvillimin e suksesshëm të standardizimit kosovar, i cili çdo ditë e më shumë po bëhet i domosdoshëm për ngritjen ekonomike të vendit”, ka thënë Arifaj.
Ndërsa, Bujar Istogu, zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të ASK-së ka thënë se është standardizimi që na mban së bashku dhe të përkushtuar për të gjetur zgjidhje për shoqërinë, mjedisin, industrinë dhe teknologjinë tonë.
“Vetë tema e Ditës Botërore të Standardeve në këtë vit ‘Vizioni i përbashkët për një botë më të mirë’ tregon se nuk është befasi se bashkëpunimi mbulon tema nga më të ndryshmet, nga besimi dixhital e deri tek tregtia globale”, ka potencuar Istogu.
Ai ka thënë se me rreth 150 ekspertë teknikë të angazhuar në KPS dhe KT synojnë të ndërtojmë ndër tjera një rrjet të ri dhe efektiv me njerëz që janë të përkushtuar të punojnë për të gjetur zgjidhje të reja dhe për të rregulluar sfidat më të mëdha të vendit tonë.
Dita Botërore e Standardeve mbahet çdo 14 tetor dhe ky manifestim shënohet edhe në Kosovë.
Agjencia Kosovare e Standardizimit është organ kombëtar, që miraton standarde, i harmonizon ato dhe si rezultat stimulon fuqishëm zhvillimin ekonomik, duke krijuar bazë për konkurrencë në rajon dhe më gjerë.





