Përmbyllet projekti i Binjakëzimit të Bashkimit Evropian “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me institucionet partnere të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm e Kroacisë dhe Ministria Federale e Çështjeve Ekonomike dhe Veprimit Klimatik e Gjermanisë ka përmbyllur Projektin e Binjakëzimit të Bashkimit Evropian “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – Direktiva e Shërbimeve e BE 2006/123/EC”.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka falënderuar donatorët që e kanë mbështetur Ministrinë e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për dy vite në zhvillimin e kapaciteteve institucionale në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorin privat në linjë me kërkesat nga procesi i Stabilizimit dhe Asociimit.

Arifaj ka theksuar se mbështetja është e një rëndësie të veçantë që ka asistuar ministrinë në implementimin e Ligjit për Shërbime, duke bërë përgatitjen e analizës ligjore për harmonizimin e legjislacionit sektorial me parimet e Ligjit për shërbime dhe monitorimin e këtij procesi dhe po ashtu e reformimin e sektori të shërbimeve përmes procesit të digjitalizimit të procedurave administrative për licencimin e profesionistëve që ofrojnë shërbime, -krijimit të Pikës së Kontaktit për Shërbime.

“Themelimi i Pikës së Vetme të Kontaktit është shumë i rëndësishëm për Kosovën pasi ofron një dritare elektronike që ka për qëllim t’ua lehtësojë përfituesve të shërbimeve qasjen ne veprimtarinë e shërbimeve dhe informatat e nevojshme mbi pajisjen me lejet ligjore dhe licencat e nevojshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre shërbyes. Për më tepër kjo platformë elektronike do të bëjë më atraktive dhe më të qasshme për investitorët vendorë dhe të huaj marrjen e informatave për kërkesat dhe procedurat për fillimin e një veprimtarie. Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojë të plotësojë Pikën e Vetme të Kontakti me shërbime dhe informata për sektorët e rregulluar duke pas parasysh edhe prioritet e Qeverisë për zvogëlimin e barrës administrative dhe digjitalizimin e proceseve. Andaj lidhur me këtë mirëpresim mbështetjen e donatorëve (GIZ)”, ka thënë Arifaj.

Ndërsa, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se ky projekt i ndihmon Kosovës në rritjen e kapaciteteve dhe po ashtu në reformën drejt agjendës në BE.

“Gjermania ka bashkuar fuqitë për këtë projekt në mënyrë që të rriten kapacitetet e MINT si dhe të dëshmojë rrugën e Kosovës për reforma në përputhje me agjendën e BE-së. Këto gjëra janë shumë teknike, por janë benifite shumë të mira që e përmirësojnë klimën e biznesit në Kosovë”, ka thënë ambasadori Rohde.

Edhe zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës Kroate në Kosovë, Nedjeljko Shpilek, ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm, pasi krijon një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

“Në këtë rrugë drejt BE-së bashkëpunimi ynë është shumë i vlefshëm me Kosovën. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Kosovën duke e asistuar në shumë sektorë dhe përmes shumë aktiviteteve. Projekti i ka siguruar Qeverisë së Kosovës të zhvillojë më tutje kapacitetin e saj institucional që të krijojë një bazë të qëndrueshme të mjedisit për zhvillimin e sektorit privat në përputhje me MSA-në”, ka thënë Shpilek.

Alessandro Bianciardi zëvendësshef për bashkëpunim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë e ka vlerësuar të suksesshëm këtë projekt, duke theksuar se bashkëpunimi në mes BE-së dhe Kosovës do të vazhdojë.

“Sot po ashtu është një etapë kyçe për përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga MSA dhe kjo e thekson përkushtimin e BE-së në Kosovë dhe një hap tutje drejt BE-së si dhe fuqizon marrëdhëniet me BE-në”, ka thënë Bianciardi.

Post ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors