Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e përmbylljes së projektit të grantit nga Bashkimi Evropian në fabrikën “Proton Cable”, në Prizren.
Zëvendësministri Arifaj ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësise dhe Tregtisë është duke hartuar strategjinë për zhvillimin e Industrisë dhe mbështetje të bizneseve 2030 (politikat industriale). Sipas Arifajt, synimi kryesor i Politikës Industriale është të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e sektorit të prodhimit në Kosovë përmes veprimeve që synojnë të rrisin prodhimin, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e konkurrencës në eksport, shfrytëzimin dhe nxitjen e qarkullimit ekonomik, dhe maksimizimin e përfitimeve vendore.
“Ne synojmë transformimin e industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë, të cilën planifikojmë ta arrijmë nëpërmjet thellimit të zinxhirëve të vlerës së brendshëm, rritjes dhe diversifikimit të prodhimeve të eksporteve, përmirësimit të kualifikimit të fuqisë punëtore, një dixhitalizimi të përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e gjelbër, si dhe një përdorim më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara”, ka thënë Arifaj.
Zëvendësministri ka potencuar se strategjia për zhvillimin e industrisë është duke u hartuar në bashkëpunim me akterët relevant, si institucionet qeveritare, Universiteti, OJQ-të, sektori privat dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
“Për të pasur një pasqyrë më të qartë të zhvillimit të industrisë, janë hartuar studimet për zinxhirët e vlerës të cilët mundësojnë të identifikohen hallkat që mungojnë, boshllëqet kryesore dhe kufizimet përgjatë zinxhirit të vlerës, si dhe të identifikojmë produktet ose grupin e produkteve konkurruese të këtyre sektorëve, për përcaktimin e masave adekuate të mbështetjes për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm”, ka thënë Arifaj.
Arifaj ka thënë se bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve dhe analizat e sektorëve industrial do ta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e kësaj strategjie të bazuar në evidencë për sektorët me potencial të zhvillimit industrial.






