Sot u mbajt ceremonia e hapjes së edicionit të 7-të të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022, të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Universiteti i Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Të pranishëm në këtë hapje të panairit ishin Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, Ushtrues i detyrës së Shefit për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Sebastian Leuschner, dhe përfaqësues të bizneseve vendore, qendrave të karrierës, punësimit dhe nga universitetet.
Në fjalimin e saj përshëndetës, Ministrja Rozeta Hajdari theksoi rolin qendror të arsimit dhe aftësimit profesional, për zhvillim ekonomik dhe rritjen e punësimit cilësor në vendin tonë. Ajo tha se të gjithë ata që do të përbëjnë ekonominë e së nesërmes, janë ata se çfarë marrin sot nga institucionet arsimore dhe të trajnimit, dhe se çfarë arsimimi dhe trajnimi do të iu ofrohet atyre do të pasqyrohet në ekonominë tonë.
Në këtë kontekst, ajo ritheksoi se për një aftësim të duhur dhe me kompetencë, gjersa është e nevojshme angazhimi i mësimdhënësve dhe pjesëtarëve tjerë të arsimit për kontributin e tyre të vlefshëm, është më së i nevojshëm proaktiviteti nga komuniteti i biznesit për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional, përveç veprimeve të tanishme të Qeverisë me politikat, legjislacionet dhe mekanizmat e themeluar për aftësim, punësim dhe zhvillim.
“Me politikën industriale dhe me Ligjin për Odën Ekonomike ne do të sjellim më shumë proaktivitet të industrisë sonë për arsim dhe aftësim profesional. Industritë tona kanë nevojë më shumë për përafrim të kualifikimeve për nevojën e industrisë dhe gjersa po analizojmë shumë sektorë të industrisë ne shohim se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për aftësinë e prodhimit dhe përpunimit në sektorët e drurit, në plastikë, në tekstil, në sektorët minerarë (metalik dhe jometalik) dhe në teknologji informative, që është e rëndësishme për digjitalizimin e bizneseve tona" shtoi Ministrja Hajdari.
Në vazhdim, Ministrja Hajdari në shoqërim me Rektorin e UP-së, Ushtrues i detyrës së Shefit për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Sebastian Leuschner dhe GIZ organizatorët e kësaj ngjarje, vizituan këndet e pjesëmarrëseve të panairit- punës, karrierës dhe ndërmarrësisë dhe u njoftuan nga afër me veprimtaritë dhe sfidat e tyre në rritjen e punësueshmërisë dhe përafrimimin e kualifikimeve të nevojshme për nevojat e tregut.
Përmes këtij panairi të ndarë në tri pavijone: atë të punës, karrierës dhe ndërmarrësisë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njoftohen më shumë për trajnimet dhe vendet e lira të punës dhe mundësitë e tjera të cilat prezantohen prej 200 kompanive dhe institucioneve pjesëmarrëse.








