Kompania “Axians & VINCI Energies” hapin zyrën qendrore edhe në Prishtinë

Kompania “Axians” dhe “VINCI Energies” kanë hapur zyrën qendrore në Prishtinë, e cila pos Kosovës do të jetë qendër për vendet e Ballkanit Perëndimor, e do mbuloj me shërbime edhe Gjermaninë, Zvicrën dhe vendet tjera evropiane. “Axians”, është kompani me renome ndërkombëtare e cila mbështet klientët e saj – kompani të sektorit privat, entitete të sektorit publik, operatorë dhe ofruesit e shërbimeve në infrastrukturën e tyre dhe zhvillimin e zgjidhjeve digjitale, duke ofruar një gamë të plotë të zgjidhjeve dhe shërbimeve të TIK që përfshijnë aplikacionet e biznesit, analizimin e të dhënave, rrjetet e ndërmarrjeve dhe hapësirat digjitale të punës, qendrat e të dhënave, telekomunikimet dhe infrastrukturën e sigurisë kibernetike. “Axians” funksionon në 35 vende të botës, me një bilanc të të ardhurave vjetore mbi 3.3 miliardë euro dhe mbi 14 mijë punonjës.

 Kompania, pos vendosjes së qendrës së saj kryesore në Prishtinë, ka nisur edhe ndërtimin e ndërtesës së Akademisë së TIK-ut në Gjakovë, të cilën synojnë ta përfundojnë gjatë vitit 2024.

Duke përgëzuar investitorët, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë znj. Rozeta Hajdari, tha se dikasteri që udhëheqë ka vënë në dispozicion të plotë gjithë kapacitetet e saj në trajtimin meritor të të gjithë investitorëve të jashtëm e të brendshëm, duke punuar me vullnet të çeliktë e përgatitur një strukturë ndërmarrësish që i përgjigjen më së miri kohës dhe nevojave të zhvillimeve ekonomike planetare.

“Kosova pos ambientit infrastrukturor ligjor, sigurisë së investimeve e mikpritjes qytetare, është edhe një oazë e pasur me të rinjë e të reja të aftë, të përkushtuar, të uritur për dije shtesë e arritje të sukseseve në punë, andaj vendimi juaj për të ardhur këtu, është një shënjestër e qëlluar, me të cilën, besoj shumë, për pak kohë do mburremi bashkë”, ka thënë ministrja Hajdari.

E para e Industrisë së Kosovës, tha se ka kënaqësinë e veçantë të jetë në hapjen e zyrës së “Axians” në Kosovë. “Në shtetin tonë, i cili tashmë do jetë edhe vendi juaj, pasi globalizimi siç thuhet e ka shndërruar botën në një fshat të vogël. Domethënia e ardhjes së kompanisë tuaj, na jep dëshmi se po trasojmë rrugën e saktë të ndërtimit të ambientit të dobishëm për investimet e jashtme. Dëshmi për këtë kemi edhe rritjen e numrit të bizneseve të regjistruara në vendin tonë. " Gjatë dy viteve të qeverisjes sonë, kemi regjistruar në ARBK 1873 biznese të reja me pronarë të huaj dhe vetëm në katër-mujorin e këtij viti 2023, kemi regjistruar 300 biznese me pronarë të huaj" shtoi ministrja znj. Hajdari.

Ajo po ashtu përmendi se si rrjedhojë e angazhimit serioz për përmirësimin e përgjithshëm të klimës së ndërmarrësisë, gjatë vitit 2022 janë arritur rezultate mjaftë pozitive në eksportimin e mallrave dhe shërbimeve. “Derisa jemi duke finalizuar ligjet për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe për themelimin e Fondit për Inovacion, për të përkrahur edhe më shumë të rinjtë tanë, të cilët vetëm në vitin e kaluar 2022, me kreativitetin dhe punën e tyre cilësore kanë shtyrë rritjen e eksportit të shërbimeve në vlerën rekorde me mbi 2,5 miliardë euro, apo 32% rritje krahasuar me vitin 2021, dhe 153% nga viti 2020”, ka theksuar znj. Hajdari.

Lista e detyrave të përfunduara dhe që po shënojnë progres e po krijojnë zhvillim të gjithmbarshëm, është shumë më e gjatë, ka thënë ajo, duke shtuar se gjatë javës së ardhshme Kosova do të nënshkruaj marrëveshje për pjesëmarrje në programin “Tregu i Përbashkët”, i Bashkimit Evropian, i cili peshon plotë 4.2 miliardë euro për periudhën 2021-2027, nga i cili bizneset inovatore kosovare, nëpërmes aplikimit në thirrjet e hapura, mund të përfitojnë duke e shfrytëzuar këtë mundësi të shkëlqyeshme që të jenë përfitues e të jetësojnë arritjen e qëllimeve të tyre vizionare. Në fund, ministrja Hajdari tha se MINT çdo herë do të angazhohet për përmirësim të kushteve të përgjithshme të të bërit biznes në Kosovë, do të jetë përkrah bizneseve dhe do të avokojë për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të tyre si tek institucionet vendore ashtu dhe ato ndërkombëtare.

Post ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors