Në një tryezë të përbashkët me përfaqësues institucional të komunave të Republikës së Kosovës- kryetarë, nënkryetarë, drejtorë dhe zyrtarë komunal, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari së bashku me kolegë dhe ekspertë, prezantoi Draft Strategjinë për Turizmin e Republikës së Kosovës, me vizion deri në vitin 2030.
Duke përmendur rëndësinë vendimtare të një strategjie të tillë për zhvillimin e turizmit në vendin tonë, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit, ministrja Hajdari, i ftoi të pranishmit të japin komentet dhe kontributin e tyre në mënyrë që ky dokument të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe i vlefshëm, por edhe për ndërmarrje të veprimeve të nevojshme në terren, për të përmirësuar gjithë infrastrukturën për një turizëm te qëndrueshëm në baza konkurruese dhe me ndikim në zhvillimin socio- ekonomik dhe rritjen e punësimit.
Ministrja Hajdari, tha se turizmin duhet ta shohim si një kapital që ngërthen në vete sektorë dhe nën sektorë tepër të rëndësishëm për vendin tonë me Vizion ‘’ Deri në vitin 2030 Kosova do të shndërrohet në destinacion turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor’’.
"Turizmi i qëndrueshëm do të jetë njëri nga parimet kryesore në trajektoren zhvillimore të këtij sektori. Rrjedhat që hyjnë në kuadër të turizmit natyror dhe turizmit kulturor do të kenë vëmendjen kryesore, pa përjashtuar edhe rrjedhat tjera që zhvillohen si rezultat i dinamikave të brendshme dhe trendëve globale. Gjatë kësaj periudhe, turizmi do të shndërrohet në njërin nga sektorët kyç të zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në vend’’ theksoi Ministrja Hajdari.
Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me ministritë e linjës, komunat dhe me ndihmën e akterëve tjerë të turizmit, janë angazhuar për të hartuar Strategjinë Shtetërore për Turizmin 2030 me një qasje dhe zgjidhje strategjike dhe sistematike për të mundësuar zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror në baza konkurruese dhe me ndikim në zhvillimin socio ekonomik dhe rritjen e punësimit.
Të pranishmit në takim vlerësuan angazhimin për hartimin e Strategjisë së Turizmit dhe shprehën mbështetjen dhe gatishmërinë për kontribut dhe bashkëpunim.
“Draft Strategjia për Turizmin 2030” ditëve në vazhdim, do të qarkullojë për konsultim edhe me akterët tjerë të ndërlidhur që mund të kontribuojnë me opinionet dhe rekomandimet e tyre në finalizimin e kësaj strategjie për zhvillimin e këtij sektori vital ekonomik e kulturor.









