Kryeministri Kurti, pasi iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, i njoftoi ata për progresin dhe arritjet në dy vitet e fundit dhe për synimet e përbashkëta për vitet që na presin në të ardhmen.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, gjatë sesionit "Inovacioni dhe teknologjia si parakusht për zhvillimin ekonomik në të ardhmen", foli për rëndësinë e inovacionit
Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka njohur rëndësinë e inovacionit dhe në këtë drejtim ka realizuar politika konkrete për sektorin privat duke përmendur plotësimin e ligjit përkatës për të drejtat e pronësisë intelektuale dhe hartimin e politikës industriale.
“Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se meqenëse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, dhe ne jemi të orientuar drejt ndërmarrësisë, për t'u krijuar kushte më të mira, ne këto ditë po e përfundojmë Ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Fokusi parësor i këtij ligji është krijimi i një fondi inovativ nga ku njerëzit tanë me ide inovative mund të përfitojnë”, ka shtuar ministrja Hajdari.
Ministrja Hajdari, tha se në sektorin e TIK-ut në Kosovë, prania e punëtorëve të rinj është mjaft e lartë, prandaj, për shkak të aftësive që kanë, eksportet në sektorin e TIK-ut në vitin 2022 janë rritur me 114%. Kurse sa i përket sa i përket kornizës ligjore, ministrja i njoftoi të pranishmit për Ligjin për Odën Ekonomike, ku në bazë të këtij ligji synohet rithemelimi i Odës Ekonomike të Kosovës duke adoptuar modelet më të mira të vendeve të BE-së, duke marrë shembull Odën Ekonomike në Austri, të cilën e quajti model të mirë për Kosovën.
Poashtu, ministrja Hajdari, ka përmendur edhe mbështetjen për NVM-të, veçanërisht për ato me ide inovative, përmes skemave të granteve për makineri prodhuese për eksport, ku mund të përfitojnë bizneset vendase dhe ndërkombëtare si dhe Fondin Kosovar për Garanci të Kredive e poashtu dhe Programin e Tregut Unik të BE-së me 4.2 miliardë euro, ku bizneset së shpejti mund të aplikojnë dhe të përfitojnë nga skema e tij.








