Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot u mbajt edicioni i katërt i “Karriera UP” i cili u organizua nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, përkatësisht Qendra për Zhvillim të Karrierës.
Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z. Mentor Arifaj, tha se rinia është aseti më i çmueshëm që kemi, për këtë arsye Qeveria e Republikës së Kosovës përmes politikave dhe mekanizmave të ndryshëm ka mbështetur dhe po mbështetë të rinjtë, duke përmendur nxitjen e bizneseve të nisura nga të rinjtë, si startup-et dhe çdo iniciativë tjetër inovative që çon në zhvillimin e një ekosistemi mundësues e mbështetës për ta.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndarë 6 milionë euro për dy vitet e fundit( nga Buxheti i Kosoves), për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren me 40 hektarë territor, dhe ka ofruar hapësirën prej 3930m2, për Inkubator të Biznesit në Bërnicë të Prishtinës, ka shtuar Arifaj.
Zëvendësministri Arifaj, theksoi edhe investimin që MINT ka bërë në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me hapësirë 1000m2, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Investimi në shumën e përgjithshme 1,000,000 euro (një milion euro) përfshin fazën e fundit të investimeve në vlerë 150,000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro) që do të zbatohet përmes marrëveshjes së bashkëpunimit te nënshkruar ne fillim te këtij viti, për investime në adaptimin e hapësirës së përbashkët për ndërmarrësit e rinjë, si dhe për krijim të bashkëpunimeve të strukturuara në mes akademisë dhe industrisë.

