Nisin punimet për mirëmbajtjen e shtegut malor ‘’Via Dinarica’’ në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna

Në zbatim të projektit “NaturKosovo”, sot në Pejë u mbajt konferencë për media me rastin e fillimit të punëve për mirëmbajtjen e shtegut malor ‘’Via Dinarica’’ në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna.

Duke shprehur konsideratën e sinqertë për punën e ekipit të projektit “NaturKosovo” me partnerët vendor dhe italian, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, tha se fillimi i punëve për mirëmbajtjen e shtegut malor “Via Dinarica” nëpërmes projektit “NaturKosovo”, me mbëshetetje nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ambasada Italiane në Kosovë,  është dëshmi e kujdesit të shtuar që kemi për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe rritjen e atraktivitetit të zonave komunale të Pejës, Deçanit, Junikut dhe Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna.

Ajo tha se përmes konsolidimit, përmirësimit dhe promovimit të këtij shtegu malor “Via Dinarica” me shtrirje në 8 shtete – Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe Itali, turizmi i përgjegjshëm do të zhvillohet në të gjitha komunitetet lokale në vendet e rajonit, duke krijuar oferta të përbashkëta dhe konkurruese për tërheqje të turistëve dhe grupeve turistike në rajon të pasuruar me shumëllojshmëri turistike tërheqëse dhe autentike.

Ministrja Hajdari, gjersa theksoi rëndësinë e shtegut malor “Via Dinarica” në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, njoftoi të pranishmit se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e kanë në prioritet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, përmes zbatimit të Strategjisë së Turizmit 2030 dhe ligjeve e akteve nënligjore të reja për turizmin, investimet e qëndrueshme dhe për inovacion e ndërmarrësi.

Ajo tha se, me themelimin e Agjencisë për Përkrahjen e Ndërmarrjeve dhe Fondit për Inovacion në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të cilat përfshijnë mandatet e reja dhe përgjegjësitë për zhvillim të turizmit, do ti kushtohet rëndësi zhvillimit të instrumenteve dhe skemave përkrahëse për turizmin, në bashkëpunim me partnerët vendor e ndërkombëtarë, për më shumë efektivitet dhe qëndrueshmëri në këtë sektor, me ndikim në zhvillimin socio-ekonomik dhe rritjen e punësimit.

Të pranishmit u njoftuan edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për përfshirjen e Republikës së Kosovës në Programin “Tregu i Përbashkët” për periudhën kohore 2021-2027, si një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në BE. Duke qenë programi më i madh i mbështetjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) dhe organizatave të Bashkimit Evropian, në vlerën monetare prej 4.2 miliard euro, Kosova do të mund të përfitojë përmes programeve të ndryshme dhe thirrjeve në mbështetje të ndërmarrjeve dhe organizatave në shumë sektorë, përshirë turizmin.

 

 

Post ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors