Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), z. Mentor Arifaj, i shoqëruar edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto z. Kadri Dakaj dhe U.D drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë z. Zef Dedaj, kanë takuar zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik, Krijimit të Punës dhe Tregtisë të Ontarios, z. Stephen Rhodes dhe ekipin e tij.
Në kuadër të qëndrimit në Toronto të Kanadasë, krahas aktiviteteve në konferencën “COLLISION 2023” dhe takimeve të ndryshme, zëvendësministri z. Arifaj në takim me z. Rodes, kanë diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit më të shtuar ekonomik mes Kosovës dhe Ontarios.
Z. Arifaj, në këtë takim ka shpalosur mundësitë dhe kapacitetet që ka Republika e Kosovës për zhvillim ekonomik, duke vënë në epiqendër rininë e Kosovës, si potencialin me të madh dhe aftësitë e tyre profesionale në shumë fusha, posaçërisht në sektorin e teknologjisë informative. Zëvendësministri Arifaj, ka përmendur gjithashtu edhe prezencën e kompanive të Kosovës pjesëmarrëse në “COLLISION 2023” dhe interesimin e tyre për të bashkëpunuar me kompani të Ontarios.
Zëvendësministri z. Rhodes, ka falënderuar z. Arifaj për interesimin për rritje të bashkëpunimit, duke shtuar se janë të gatshëm të ndihmojë në lidhjen e urave të rejat në të gjitha sektorët ekonomik me Kosovën, e veçanërisht në atë të teknologjisë informative.
Gjithashtu z. Arifaj dhe z. Rhodes, diskutuan rreth inovacionit dhe shkëmbimit të përvojave në këtë fushë mes dy palëve, duke u pajtuar që të mbesin në kontakt të vazhdueshëm dhe të konkretizohen ndërveprimet biznesore në sektorët me interes të të dyja palëve.
Ndryshe, me mbështetje nga MINT, 7 biznese të Kosovës nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, kanë marr pjesë në Konferencën “COLLISION 2023”, që është mbajtur në Toronto, të Kanadasë.
Në kuadër të kësaj konference, zëvendësministri z. Arifaj, me kolegët kanë vizituar disa kompani në Kanada, duke u ofruar informacione të zgjeruara për ambientin e përgjithshëm të të bërit biznes në Kosovë si dhe gatishmërinë e ngritjes së kapaciteteve bashkëpunuese mes kompanive të vendit tonë dhe atyre të Kanadasë.
