Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka marr pjesë në hapjen e pikës së re të shitjes së “Plus Market”, në Bresje të Fushë Kosovës.
Në fjalën e saj, ministrja znj. Hajdari, ka thënë se rritja dhe zgjerimi i bizneseve në Kosovë, dëshmon përkushtimin dhe punën e pandalshme të ndërmarrësve, si dhe dobinë e orëve të shumta të angazhimit që Qeveria e Kosovës dhe MINT e kalojnë për të avancuar politikat, përmirësuar ligjet dhe zhvilluar instrumentet zbatuese, për ndërtim të një ambienti më të favorshëm të të bërit biznes në vendin tonë.
“Plus Market”, ka theksuar ministrja znj. Hajdari, tashmë nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ka kohë që nëpërmes veprimtarisë së tij, flet më së miri.
“Megjithatë, dua të them se veprimtaria e këtij biznesi me punën, përkushtimin dhe modelin që aplikon për promovimin dhe shitjen e prodhimeve vendore, është shndërruar në një praktikë të mirë për t’u ndjekur edhe nga të tjerat biznese në fushën e tregtisë. Ky market na jep një shembull të shkëlqyeshëm, se ne mund të zhvillojmë ekonominë tonë duke promovuar produktet tona vendore me cilësi të lartë, si dhe duke aplikuar praktikat e të bërit biznes në konkurrencë të shëndoshë" ka theksuar e para e MINT, znj. Hajdari.
Ajo ka shtuar se e njeh punën e “Plus Market” dhe është e bindur, se ai do vijojë të ofroj, pos shërbime cilësore me produkte të zgjedhura, edhe shumë vende të punës që nevojiten për të rinjtë tonë dhe për të forcuar ekonominë tonë.
Ministrja znj. Hajdari, ka përgëzuar pronarin e “Plus Market” z. Sylejman Neziri dhe ekipin e përkushtuar të tij, që kanë punuar me zell për të krijuar edhe një ambient të ri të shkëlqyeshëm të biznesit edhe në Bresje të Fushë Kosovës.
“Si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, bashkë me kolegët e kabinetit qeveritar dhe me gjithë stafin tim, angazhohemi që të ndihmojmë dhe inkurajojmë sektorin e industrisë sonë. Ne do të vijojmë të punojmë për të krijuar mjedis edhe më të favorshëm për bizneset, ku ato mund të zhvillohen dhe të krijojnë vende të reja pune e të rrisin biznesin dhe të ardhurat kombëtare”, ka thënë znj. Hajdari.





