Identifikimi i profileve të nevojshme të Arsimit dhe Aftësimit Profesional kundrejt nevojave të tregut të punës ka qenë temë e bashkëbisedimit me bizneset nga Sektori i Drurit dhe Mobileve e poashtu edhe me bizneset nga sektori i Ushqimit dhe Pijeve, në dy takimet që u zhvilluan në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e bizneseve të Sektorit të Drurit, Ushqimit dhe Pijeve u mirëpriten nga Kryeministri i vendit z. Albin Kurti, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërlidhjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Tregun e Punës e konsideron si një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit, përmes të cilit do të synohet që për një diplomë në shkollë të sigurohet një vend pune në ekonominë tonë.
Ndërkaq, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, i falënderoi ndërmarrësit e pranishëm për punën e tyre me kontribut në rritjen e vlerës së shtuar të prodhimit dhe punësimit të një fuqie të konsiderueshme punëtore.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e ndëmarrësve me shoqatat e tyre industriale, në hartimin e Strategjisë Industriale 2030 me synim transformimin e industrisë në një industri më të integruar globalisht, që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar dhe ofrojë punësim të denjë, duke theksuar se MINT në bashkëpunim të afërt me MASHT-in dhe bizneset, do të trajtojë mospërputhjen e përhapur të aftësive, me identifikim të profileve dhe zhvillim të kurrikulave për fuqi punëtore të kualifikuar për zhvillim dhe transformim më të shpejtë industrial.
Kurse Ministrja e MASHT, znj. Arbërie Nagavci tha se vitin e kaluar për herë të parë ka filluar zbatimi i sistemit dual të mësimit në katër profile AAP, që nënkupton se në 51%, apo gjysmën e kohës gjatë tri viteve, nxënësit do ta kalojnë në praktikë në ndërmarrjet tona.










