Koncept Dokumenti për Ligjin për Odën Ekonomike të Kosovës i hartuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka për qëllim përmirësimin e kornizës ligjore për Odën Ekonomike të Kosovës, ku përmes ligjit të ri përkatës, do të mundësohet mbrojtja e interesave të bizneseve dhe shoqatave të bizneseve në Kosovë duke ndikuar pozitivisht në krijimin e një konkurrence të ndershme dhe rritje të qëndrueshme të bizneseve tona, në përputhshmëri me të lartë me parimet dhe praktikat e BE-së.
Vlen të theksohet se, që nga koha e UNMIK-ut nuk është hartuar një ligj i ri për Odën Ekonomike të Kosovës, e cila ende sot funksionon me ligjin përkatës të asaj kohe, pa definim të qartë të kompetencave dhe funksionit të anëtarëve dhe organeve drejtuese të Odës.
Me ligjin e ri do të definohen qartë roli dhe kompetencat e anëtarëve dhe organeve drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës, dhe do të kategorizohen tarifat për anëtarësim në Odën Ekonomike të Kosovës, në shërbim të bizneseve dhe shoqatave të bizneseve tona.
Duke lidhur bizneset, duke mbështetur ndërmarrësit, duke mbrojtur interesat e biznesit, duke promovuar aktivitetin e biznesit dhe përfaqësimin e anëtarëve të Odës, duke nxitur përmirësimin e kualifikimit të fuqisë punëtore dhe punësimit të denjë, për prodhim të produkteve vendore me vlerë të lartë të shtuar, si dhe aktivitete e ngjarje tjera, Oda Ekonomike e Kosovës pritet të ketë rol të veçantë në zhvillim më të shpejtë ekonomik, social e mjedisor në Republikën tonë.


