Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mori pjesë në hapjen e Panairit të Dytë të Sharrit, tashmë tradicional me produkte vendore të Sharrit.
Ministrja Hajdari, tha se është kënaqësi e veçantë kur nga trevat tona dhe prodhuesit tanë vendor dalin produkte të shumta cilësore e të prodhuara me shumë përkushtim të ndërmarrësve tanë dhe të vlerësuara lartë nga konsumatorët vendor e ndërkombëtar.
Me këtë rast, ministrja Hajdari, i njoftoi pjesëmarrësit e këtij panairi me shumë kënaqësi për arritjen për ‘Djathin e Sharrit”, që për herë të parë në histori të Kosovës, në muajin maj të këtij viti, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nxjerrë vendim për mbrojtjen e një produkti vendor si Emërtim i Mbrojtur i Origjinës, sipas Ligjit për Treguesit Gjeografik dhe Emërtimet e Origjinës.
Duke shpalosur para të pranishmëve mbështetjen e vazhdueshme përmes mekanizmave të ndryshëm që ka ofruar Qeveria e Kosovës për prodhuesit vendor, ministrja Hajdari i njoftoi prodhuesit me vizionin 2030 dhe instrumentet e Politikës Industriale për rritje të prodhimtarisë, blerje dhe mbështetje të produkteve tona vendore, duke thënë se kështu mund të krijojmë një mënyrë të ndërgjegjshme të zhvillimit të industrisë e tregtisë me ndikim pozitiv në një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Duke blerë prodhimet tona vendore, ne e ndihmojmë ekonominë tonë dhe rrisim punësimin e denjë dhe të ardhurat kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë”, ka shtuar ministrja Hajdari.





