Në kuadër të Forumit të Ministrave të Ekonomisë të Procesit të Berlinit, që u mbajt kësaj radhe në Tiranë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka takuar Deputetin e Parlamentit të Britanisë së Madhe z. Martin Vickers, njëherit i dërguar i Kryeministrit për Tregtinë në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Hajdari theksoi ngjarjet e fundit të sulmit terrorist në veri të vendit, duke kërkuar dënimin e këtij akti të pa pranueshëm e të orkestruar nga pushteti në Serbi.
Në vazhdim të takimit, z. Vickers u njoftua nga Ministrja Hajdari për progresin ekonomik dhe demokratik të Republikës së Kosovës dhe rritjen e besimit për investime në Kosovë.
Kurse për zbatim të suksesshëm të Marrëveshjes Për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Ministrja Hajdari propozoi organizimin e forumeve ekonomike dhe ngjarjeve për rrjetëzim të bizneseve në mes dy vendeve.
Z.Vickers në këtë takim shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për sulmet terroriste në veri të Kosovës të datës 24 shtator 2023, me reflektime nëse kishte një mënyrë për të ulur tensionin.
Njëherit, z. Vickers u interesua për avancimin e politikave dhe ligjeve për të bërit biznes dhe investimeve në Kosovë dhe duke e përgëzuar ministren Hajdari për politikat dhe ligjet e reja për të bërit biznes dhe sundimin e ligjit, u pajtua për organizimin e një ngjarjeje ekonomike në mes dy vendeve.
Në konkludim, z. Vickers vuri në theks një takim të ardhshëm ekonomik në shkurt 2024, për të diskutuar për investime të mëtejshme në Republikën e Kosovës.

