Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me Zv. Ministrin Mentor Arifaj dhe Shefin e Kabinetit, z. Kushtrim Dakaj, me rastin e përfundimit të mandatit në Republikën e Kosovës, të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi, pritën në takim lamtumirës ambasadorin, të cilin e falënderuan për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në Kosovë për përafrimin e marrëdhënieve të shëndosha bilaterale, ekonomike dhe tregtare.
Ministrja Hajdari vlerësoi angazhimin e ambasadorit Minxhozi, për të cilin, siç tha ajo, ka krijuar ura të frytshme të bashkëpunimit ndër-institucional mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kosova konsiderohet si një shtyllë e fortë ekonomike për turizmin detar të Shqipërisë, e cila për çdo vit është duke shënuar rritje.
Në këtë drejtim, ministrja Hajdari u zotua për zgjerimin e këtij bashkëpunimi edhe në sektorin e turizmit malor në rajonet veriore të Shqipërisë, duke vënë në theks rajonin madhështorë të Nikaj-Mërtur.
Tutje, u diskutua për platformën dixhitale të turizmit, e cila konsiderohet si një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori.
Ky bashkëpunim, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ka rezultuar me rritje mjaft pozitive edhe në shkëmbimet tregtare, ku mallrat e eksportuara nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar rritje, sikurse kanë shënuar rritje edhe eksporti i mallrave nga Shqipëria në Kosovë.
Në fund të takimit, ministrja Hajdari i uroi ambasadorit z. Qemal Minxhozi suksese në rrugëtimin e tij të mëtejshëm.


