MINT/KIESA mbajtën sot sesionin informues dhe udhëzues për aplikim në thirrjen e radhës së skemës përfituese në fushën e ekosistemit industrial të ekonomisë sociale, në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian ‘’Tregut i Përbashkët’’. Kjo thirrje e radhës ka për qëllim nxitjen e tranzicionit digjital të ndërmarrjeve të ekonomisë sociale dhe NVM-ve në Republikën e Kosovës.
Programi ’’Tregut i Përbashkët’’ ka vlerën prej 4.2 miliardë euro për periudhën 2021-2027. Përgjatë sesionit në fjalë, pjesëmarrësit u informuan për objektivat kryesore të këtij Programi, i cili është i pari për treg të brendshëm i Bashkimit Evropian, si një ndër programet më të mëdha mbështetëse, që për qëllim ka fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave si dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Ushtruesi i detyrës i Drejtorit të Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj dhe Drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në MINT, z. Irfan Lipovica, theksuan se ky program do të rris konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare dhe do t’u mundësojë bizneseve të rrisin partneritetin e tyre duke u zhvilluar edhe më tej në ambientin e të bërit biznes.
Z. Dedaj dhe z. Lipovica, së bashku me ekipin e asistencës teknike ‘’Mbështetje Kosovës me programet Evropiane’’, ofruan udhëzimet për aplikim në thirrjen e tanishme të skemës përfituese në fushën e ekosistemit industrial të ekonomisë sociale, në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian ‘’Tregut i Përbashkët’’. Bizneset u udhëzuan me informatat që duhet pasur në konsideratë para dhe gjatë aplikimit në mënyrë që aplikimi i tyre të konsiderohet i suksesshëm, derisa ata u njoftuan edhe me procedurat e aplikimit.
Z. Dedaj po ashtu i njoftoi bizneset se KIESA si pikë kontakti do t’i mbaj të informuar vazhdimisht për thirrjet e ardhshme për grante në kuadër të Programit ’’Tregut i Përbashkët’’.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet e Kosovës, përfaqësues të biznese dhe shoqatave.
Republika e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen me Bashkimin Evropian, me datën 11 maj të 2023, për të qenë pjesë e Programit ’’Tregu i Përbashkët’’, si një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të zhvillimit socio ekonomik dhe integrimit të Kosovës në BE.
Këtë thirrje, si dhe të tjera tashmë të hapura në këtë program i gjeni në faqen e mëposhtëme.

