Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), së bashku me Komunën e Gllogocit, me 20 nëntor 2023, kanë organizuar Debat Publik për Parkun Industrial 2 Drenas, duke u bazuar në legjislacionin e Zonave Ekonomike.
Qytetarët e pranishëm në këtë debat, fillimisht u njoftuan nga z. Petrit Gashi, Drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gllogocit, në lidhje me planifikimin e ndërtimit të infrastrukturës fizike në Parkun Industrial 2.
Ndërkaq, z. Nol Buzhala, Drejtor i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat në KIESA, i njoftoi të pranishmit me procedurat për ndërtimin e Parkut Industrial 2, duke filluar nga hapësira prej rreth 36 ha; faza e hartimit të projektit kryesor; si dhe marrja e disa pëlqimeve nga institucionet qeveritare siç parashihen në ligjin për Zona Ekonomike.
Ndër tjera u fol edhe për lokacionin e Parkut, i cili gjendet afër aeroportit, hekurudhës dhe ka qasje të lehtë në auto-udhë.
Zyrtarët e Komunës bënë të ditur se me ndërtimin e Parkut Industrial 2, do të rregullohet edhe çështja e kanalizimit që kalon nëpër fshatin Korreticë.
Të interesuarve se si do të ndahen parcelat në hapësirat e parkut, iu bë e ditur se ato planifikohen me projekt dhe se dhënia e tyre do të bëhet sipas Udhëzimit Administrativ- me konkurs.
Të pranishmit në debat publik u informuan se gjatë kësaj periudhe kërkesat në lidhje me projektin e Parkut Industrial 2 Drenas, duhet të drejtohen në Komunën e Gllogocit dhe në KIESA.
