Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mori sot pjesë në lansimin e thirrjes publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), ngjarje kjo e organizuar nën patronatin e Ministres së Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Alesandro Bianciardi, partnerë ndërkombëtar dhe përfaqësues të bizneseve.
Përgjatë lansimit të kësaj thirrje, të pranishmit u informuan me efektin pozitiv të masave paraprake mbështetëse për pajisjet efiçiente, të cilat kanë kontribuar edhe në uljen e konsumit të përgjithshëm të energjisë, ndërkaq, u tha se një mbështetje e tillë, tash po vazhdon edhe për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat do të investojnë në pajisje efiçiente për ngrohje.
Në këtë drejtim, u fol edhe për Politikën Industriale, e cila me objektivën e 4-të, synon kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe dixhitale. Përmes saj, ndër tjera trajtohet lehtësimi i industrisë qarkore dhe të gjelbër, e cila inkurajon kalimin në prodhim më të gjelbër, ku mbetjet e një prodhimi, synohet të përdoren si inpute për prodhime të tjera.
Në këtë kuptim, u theksua se efikasiteti energjetik dhe intensiv i CO2, i sektorit të prodhimit në Kosovë ka shënuar përmirësim, derisa u potencua se përpjekjet janë maksimale që përmes zhvillimit teknologjik, industria prodhuese të orientohet drejt efiçiencës së energjisë.
Kjo thirrje, e hapur sot nga Ministria e Ekonomisë, është në kuadër të Masës 5 të Planit të Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike dhe synon të mbështes bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, duke i nxituar ato të investojnë në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.





