Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbajti sot punëtorinë me Agjencitë për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mision në Republikën e Kosovës, për shqyrtimin e Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe për gjetjen e modalitetit për funksionimin e mirëfilltë të Fondit të Inovacionit në Ndërmarrësi.
Ministrja Hajdari, në fjalën e saj para të pranishmëve, vlerësoi lartë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të partnerëve zhvillimor me MINT për fuqizimin e ndërmarrjeve dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, derisa shtoi se punëtoria e sotme do të shërbejë si një mundësi për të avancuar tutje Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Fondin për Inovacion, gjetjen e modelit të strukturës së mirëfilltë për qeverisjen e Fondit për Inovacion, me transparencë dhe llogaridhënie të plotë, si dhe përkrahjen e përbashkët të Donatorëve në zhvillimin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, sipas parimeve dhe modaliteteve efektive të OECD-së.
Punëtoria vazhdoi me prezantime të Projektligjit për Inovacion e Ndërmarrësi nga Drejtoresha për Inovacion në MINT, znj. Laura Zherka dhe Fondit për Inovacion nga zv. Ministri i MINT, z. Mentor Arifaj.
Duke i theksuar objektivat dhe qëllimet e synuara, diskutimet e sotme i dhanë rëndësi mandatit dhe strukturës qeverisëse të Fondit për Inovacion, dhe modaliteteve efektive të mbështetjes së ndërmarrjeve për shpalosjen e potencialit të tyre në inovacion dhe transformim të industrisë.
Përgjatë kësaj puntorie, përfaqësuesit e partnerëve për bashkëpunim për zhvillim kontribuan me diskutime mjaft konstruktive dhe propozime konkrete në Projekligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, duke e zotuar mbështetjen e tyre për zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, që kontribuojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e ekosistemit të inovacionit për transformim ekonomik në vendin tonë.














