Kryeministri Kurti, theksoi rëndësinë e industrisë së drurit me kontribut të lartë në rritjen e eksporteve dhe në përmirësimin e bilancit tregtar, ku ndërmarrësit tanë kanë arritur të depërtojnë në tregjet e vendeve të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
“Përpunimi i Drurit dhe Mobileve, sipas analizave të performancës së industrisë së vendit tonë, në kuadër të Politikës Industriale, vlerësohet si nën-sektor “Yll në rritje”, kontribuon me 12% në bilancin tregtar, duke qenë ndër të vetmit nën-sektorë që kanë kontribut pozitiv në uljen e deficitit tregtar”, tha ai.
Të vetëdijshëm për potencialin dhe nevojën, Kryeministri Kurti, theksoi vizionin e Politikës Industriale për mbështetje të sektorit të prodhimit, e hartuar nga MINT dhe miratuar në Qeveri për herë të parë prej periudhës së pas luftës. Përmes zbatimit të kësaj politike, synohet shpalosja e potencialit të industrisë prodhuese, për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të vendit në mënyrë efektive.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, në fjalën e saj para të pranishmëve, tha se përmes mandatit të MINT, po punohet intenzivisht në hartimin e politikave për industri, tregti, investime, turizëm, inovacion dhe ndërmarrësi, dhe avancimin e ligjeve përkatëse në përputhje me direktivat e BE-së.
Ajo theksoi Raportin e Progresit të BE-së, ku vihen në pah të arriturat e qeverisjes Kurti, në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes, klimën e investimeve, mbrojtjen e konkurrencës, reformën në mbikëqyrjen e tregut, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industrial dhe turizmin e qëndrueshëm.
Tutje, Ministrja Hajdari, potencoi fillimin e Politikës Industriale, me fushat e intervenimit dhe masat që do të përkrahin sektorin e prodhimit dhe përpunimit për integrimin e tyre në zingjirët global, rritjen dhe diversifikimin e eksporteve, përmirësimit të kualifikimit të fuqisë punëtore, dixhitalizimit të përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së përparuar, si dhe përdorimit më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara.
Duke theksuar suksesin e skemave përmes Agjencisë KIESA, për mbështetje për prodhuesit vendor, për blerjen e makinerive prodhuese dhe certifikimin e produkteve, pjesëmarrjen në panaire brenda dhe jashtë vendit, me qëllim të diversifikimit të tregjeve të eksportit, Ministrja Hajdari i njoftoi të pranishmit për mundësitë e reja për mbështetje të bizneseve, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes me BE-në, më 11 maj 2023, për Programin “Tregu i Përbashkët”, me buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, si dhe për ‘Planin e Rritjes (Growth Plan) për Ballkanin Perëndimor, me buxhet 6 miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian.
Në fund, Ministrja Hajdari, njoftoi për negociatat në vazhdim për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s (Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda), përmes së cilës, palët do të kenë bashkëpunim më të madh ekonomik me marrëdhënie tregtare preferenciale dhe e cila do të jetë e dobishme për të gjithë.
Konventa e Industrisë së Drurit organizohet nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës për të gjashtin vit me radhë dhe përmes saj synohet prezantimi dhe promovimi i potencialit të industrisë së drurit, si sektor në rritje në Republikën e Kosovës.


























