Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me Zëvendësministrin z. Mentor Arifaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, pritën në takim z. Eyal Waldman, ndërmarrës i suksesshëm dhe i mirënjohur në sektorin e teknologjisë së lartë nga Izraeli. Si pronar dhe kryetar i disa bizneseve, në mes tyre është kryetar i ‘’Waldo Holdings’’ dhe themelues e ish kryesues i ‘’Mellanox Technologies’’ që nga viti 1999.
Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe me qëllim të përbashkët në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në mes Kosovës dhe Izraelit në aspektin ekonomik me theks të veçantë fushat e inovacionit dhe teknologjisë.
Ministrja Hajdari, e njoftoi z. Waldman për potencialin dhe mundësitë që Republika e Kosovës ofron për investitorët e huaj, duke i theksuar politikat dhe ligjet e avancuara me përmirësimin e ambientit për të bërit biznes dhe nxitjen e mbrojtjen e investimeve, si dhe për zhvillim të inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Nga ana tjetër, z. Waldman shprehu besimin e tij në potencialin e Kosovës dhe synimin e qartë të tij që të bëhet investitor aktiv në vendin tonë.
Palët u pajtuan për bashkëpunim të afërt me qëllim që të i shfrytëzojnë njohuritë dhe sjellin investime në fushën e teknologjisë për të nxitur rritjen e inovacionit drejt një zhvillimi më të shpejtë dhe transformimi ekonomik në vendin tonë.
Kompania Waldo Holdings, ka në fokus investimet e ndryshme në kompani private dhe publike, në fonde të ndryshme, pasuri të paluajtshme dhe investime të tjera të platformave financiare.
Z. Waldman përveç takimit me ministren Hajdari, do të takohet edhe me përfaqësuesit më të lartë të Republikës së Kosovës, e poashtu do të ketë takime me disa përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, të organizuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.




