Pas adresimit në afat rekord të afro 350 ankesave të pranuara vetëm brenda dy javëve të para të këtij muaji, nga qytetarët, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe si rezultat i bashkëpunimit ndër-institucional efektiv dhe të shpejt, Komisioni i Pavarur për Media ka shqiptuar gjobë ndaj katër operatorëve kabllorë, për të cilët ka pasur ankesa se nuk i janë përmbajtur kushteve të kontratave me konsumatorët.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, mbeten maksimalisht të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, për çka ftojnë qytetarët që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: konsumatori@rks-gov.net