Në takim u diskutua për fillimin e zbatimit të dy projekteve të reja me financim nga Luksemburgu, për zhvillim të inovacionit dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të sektorit privat, për rritje të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse në Kosovë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, e shoqëruar nga zv. Ministri Mentor Arifaj, drejtorët e dy departamenteve politikbërëse për industri dhe inovacion, znj. Valbona Dushi dhe znj. Laura Zherka, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë KIESA, z. Zef Dedaj, pritën në takim shefin e misionit të Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz, të shoqëruar nga përfaqësues të LuxDev.
Ky takim kishte për qëllim të njoftimit nga afër dhe koordinimit lidhur me projektet dhe instrumentet e reja të mbështetura nga Qeveria e Luksemburgut që për fokus kanë mbështetjen e ndërmarrjeve me inovacion dhe zhvillimin e ekosistemit të inovacionit me angazhim aktiv të sektorit privat.
Diskutimet konstruktive shërbyen për të reflektuar edhe për përvojën në zbatimin e skemave mbështetëse nga KIESA tashmë të zbatuara me sukses në tri vitet e fundit dhe të cilat kanë kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese për eksport.
Përmes analizës së përformancës industriale të realizuar nga MINT dhe analizës së ekosistemit të inovacionit, të realizuar së fundmi me përkrahje nga LuxDev, u diskutua për rolin e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA në zhvillimin e ekosistemit inovativ.
Në këtë drejtim, u fol për Fondin për Inovacion, i cili do të themelohet përmes Ligjit të ri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, tashmë i hartuar dhe në proces të miratimit në Qeveri.
Ky fond pritet të ketë rolin e koordinimit të mbështetjes nga institucionet vendore dhe nga bashkëpunimi ndërkombëtar në zhvillimin e inovacionit në sektorin privat.
Në fund, Ministrja Hajdari vizitoi ekipet e projekteve "Sustainable and inclusive growth in Kosova" dhe " Private Sector Engagement Instruments", të financuara nga LuxDev, (tani të vendosura në zyret e MINT) të cilëve iu ofroi mbështetjen e saj të plotë për zbatim me sukses të projekteve me financim nga Luksemburgu.
