Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë z. Mentor Arifaj dhe u.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, z. Zef Dedaj, të shoqëruar nga Ambasadorja e Kosovës në Suedi, znj. Shkendije Geci Sherifi, u takuan me përfaqësuesit nga Agjencia Suedeze e Inovacionit – Vinnova.
Takimi u realizua në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), gjatë panairit “Stockholm Furniture Fair” në Suedi, ku morën pjesë dhjetë kompani nga Kosova.
Me këtë rast, përfaqësuesit e MINT/KIESA dhe Vinnova u pajtuan për bashkëpunim, dhe për përkrahje të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për zhvillimin e instrumenteve për mbështetjen dhe nxitjen e inovacionit në nivel të bizneseve, përmes KIESA-s.
Suedia bën pjesë në kategorinë e vendeve lidere të inovacionit në vendet e Bashkimit Evropian, prandaj për Kosovën është thelbësore të marrë praktikat më të mira nga Agjencia Suedeze e Inovacionit, veçanërisht mbi procesin se si konceptet inovative të bizneseve, mbështeten nga Vinnova përmes skemave të granteve.
Ky takim solli reflektime të cilat do të shqyrtohen për finalizim sa më të mirë të Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, hartuar nga MINT, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

