Duke vlerësuar lartë mbështetjen e vazhdueshme të Partneritetit Ndërkombëtar dhe kontributin e shumanshëm të Diasporës në proceset shumëvjeçare në shtetndërtim, zhvillim dhe integrim të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, Ministrja Rozeta Hajdari i njoftoi të pranishmit për politikat dhe reformat strukturore gjatë këtij mandati qeverisës, me rezultate në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes dhe progresin ekonomik e demokratik, që ndikojnë drejtpërdrejtë në nxitjen e investimeve të huaja dhe të diasporës në vendin tonë.
Në fjalimin e saj, Ministrja Hajdari theksoi progresin e dukshëm të Republikës së Kosovës, sipas shumë raporteve ndërkombëtare, në veçanti sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, për periudhën qershor 2022 – qershor 2023, duke plotësuar kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ndër dhjetëra ligje të miratuara, ajo theksoi përparësitë e ligjeve të reja për investime të qëndrueshme, për parqe industriale dhe teknologjike, për tregti, turizëm, si dhe projektligji i ri për inovacion dhe ndërmarrësi, nëpërmjet të cilave lehtësohet të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues, nxitja e mbrojtja e investimeve me trajtim të barabartë në Republikën e Kosovës dhe lehtësimi i tregtisë me jashtë.
Për rëndësinë që Qeveria e Kosovës i kushton sektorëve industrial të prodhimit, Ministrja Hajdari, theksoi Politikën Industriale 2030 të miratuar për herë të parë që nga periudha e pasluftës, analiza e së cilës sjell në pah potencialin e sektorëve industrial prodhues në rritje dhe me potencial për nxitje të investimeve.
‘’ Politika Industriale me ligjet përkatëse do të kenë rolin tyre me rëndësi, për të përmirësuar përformancën e përgjithshme të investimeve në Kosovë, në veçanti në prodhim, që të kthehet në shtytës kryesor për një ekonomi me të ardhura më të larta dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve tanë’’ tha Ministrja Hajdari.
Ndërsa u.d drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, foli për skemat mbështetëse për ndërmarrjet fillestare, të vogla dhe të mesme, për shërbimet që i ofrohen një investitori vendorë, nga diaspora dhe të huaj, para procesit të investimit në Kosovë, për fazën e kujdesit pas investimit për investitorë, si dhe për themelimin e Fondit për Inovacion për zhvillim të ekosistemit të inovacionit në Republikën e Kosovës.



