Ministrja Rozeta Hajdari, mirëpriti delegacionin e përfaqësuesve të Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS) në Ballkanin Perëndimor, znj. Letizia Fischioni , Zëvendës Drejtoreshë e AICS Tiranë, së bashku me kolegë ekspertë të sektorit të mjedisit dhe ekipin e Klubit Alpin Italian – CAI, si partner teknik i projektit “NaturKosova: Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica’’.
Delegacioni i shoqëruar nga z. Ugo Ferrero, Zëvendës Ambasador në Ambasadën e Italisë në Kosovë, dha një përditësim mbi aktivitetet e vazhdueshme të projektit "NaturKosova" dhe prezantoi iniciativën e re rajonale në sektorin e mjedisit dhe turizmit që do të përqendrohet në rajonin malor jugor të Sharrit.
Qëllimi i këtij takimi ishte mbledhja e njohurive në fushën e turizmit dhe marrja e propozimeve të dobishme në fazën e hartimit të programit të ri, me synim arritjen e më shumë rezultateve dhe qëndrueshmërisë së rezultateve të projektit të tanishëm "NaturKosova" me perspektivë në një zonë më të madhe.
Ministrja Hajdari falënderoi për mbështetjen në vazhdimësi nga AICS për zhvillim të mëtejmë të sektorit të Turizmit dhe bashkë me kolegë njoftuan për prioritetet kryesore në fushën e turizmit dhe aktivitetet e planifikuara në nevojë për mbështetje financiare dhe teknike.
Reflektimet e këtij takimi konkluduan që programi i ri në sektorin e mjedisit dhe turizmit malor jugor të Sharrit, të dizajnohet dhe zbatohet në përputhje me parimet e Komitetit të Ndihmës Zhvillimore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD DAC).


