Takimi u mbajt në kuadër të puntorisë së realizuar nga Departamenti i Turizmit, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me qëllimin për t’i njoftuar akterët dhe operatorët përkatës me Udhëzimet Administrative që rregullojnë për herë të parë në Republikën e Kosovës, veprimtarinë e udhërrëfyesve turistik dhe shërbimet turistike të turizmit aktiv dhe aventuristik.
Me këtë rast, Ministrja Hajdari ofroi mbështetjen e pakusht dhe bashkëpunimin e ngushtë në mënyrë që promovimi i turizmit në vendin tonë të jetë sa më i mirë dhe profesional, që Kosova të shndërrohet në destinacion turistik konkurrues.
Ministrja Rozeta Hajdari, bëri thirrje që udhërrëfyesit turistik të aplikojnë pranë Departamentit të Turizmit për t’u regjistruar në Regjistrin e Turizmit dhe pajisen me ID kartelë të udhërrëfyesit turistik, në mënyrë që kultura, historia dhe atraksionet tona të prezantohen nga profesionist vendor, e jo siç ndodhte më herët, që udhërrëfyesit nga vendet e rajonit t’a prezantonin ndryshe trashëgimin kulturore dhe vendin tonë, para turistëve të huaj.
Jam e lumtur që të pajisim me ID kartelë udhërrëfyesit e parë turistik në Republikën e Kosovës, theksoi Ministrja.
Diskutimi me përfaqësuesit e guidave dhe të gjithë pjesëmarrësve ishte i hapur dhe jashtëzakonisht i frytshëm, duke u shqyrtuar dhe marrë në konsideratë çdo ide dhe opinion i prezantuar në këtë puntori.





