Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mori pjesë në konferencën shënuese për marrjen e Vlerësimit Kreditor Sovran ‘BB-‘ për Kosovën, nga Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Ratings, organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID).
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, me këtë rast tha se ky vlerësim ka ndikim shumë pozitiv për ekonominë e vendit, por edhe do të shërbejë si provë e qartë për punën e qeverisë sonë. Ai theksoi edhe disa prej faktorëve pozitiv të cilët janë prezantuar në këtë vlerësim, duke përmendur punën e bërë nga Qeveria në fushën e politikave fiskale me uljen e deficit buxhetor, rritjen e vazhdueshme të mbledhjes së tatimit, nivelin e ulët të borxhit publik, realizimin e reformave të nevojshme, luftimin e korrupsionit si dhe stabilitetin politik të vendit, për faktin që Qeveria është mirë e pozicionuar për të shërbyer mandatin e plotë.
Kurse Drejtorja e USAID në Kosovë, znj. Eileen Devitt, theksoi se vlerësimi kreditor nga Fitch Ratings mundëson qasjen në tregje të reja financiare dhe hapë rrugën për investime publike, si dhe e lehtëson rrugën për të gjithë ata që duan të hapin bizneset e tyre.
Vlerësimi Kreditor i Fitch Ratings, shërben edhe si pasaportë e shtetit, përmes së cilës investitorët e huaj do t’a kenë më të lehtë të informohen për zhvillimin ekonomik dhe politikat financiare të vendit, duke e bërë kësisoj më të lehtë procesin e tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë.
Ky Vlerësim Kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare.
Pjesa e dytë e konferencës ishte diskutim në panel, ku pjesëmarrës ishin Ministri Hekuran Murati, Guvernatori Ahmet Ismaili, Kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Z. Suat Bakkal si dhe Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Z. Massimiliano Paolucci.
Në këtë diskutim, Ministri Murati potencoi se vlerësimi kreditor nga Fitch Ratings e vendos Kosovën në pozitë të favorshme që do të ndikojë në qasjen e Kosovës në tregje ndërkombëtare financiare.


